Mbaron fushata elektorale, posterat ende në qytet
Një javë pasi ka mbaruar procesi i votimit për parlamentin e ri shqiptar, qyteti i Vlorës është ende i mbushur me posterat e kandidatëve për deputetë. Ndërkohë që gjatë fushatës elektorale mbështetësit e kandidatëve bënin luftë me njëri tjetrin kush më parë të zinte një vend më të dukshëm për të vendosur posterin e tij, sot askush nuk kujtohet ti heqë ato.
Më së shumti në qytet ndodhen të afishuar posterat e kandidatëve humbës ndërkohë që çuditërisht kandidatët fitues kanë marrë masa për ti hequr posterat e tyre. Ashtu siç nuk janë hequr posterat e kandidatëve nuk janë boshatisur as ambientet ku sidomos dy partitë e mëdha PD dhe PS kishin shtabet e tyre elektorale. Ende në katër pesë pika dominuese në qytet vazhdojnë të valëviten flamujt e kuq dhe ata blu të këtyre partive. Nëse vjen në qytet dikush që nuk e di se nuk ka mbaruar fushata elektorale ai mund të gënjehet fare lehtë se kjo fushatë vazhdon. Por kjo pamje nuk është aq e shëmtuar sa është ajo e përdhosjes së shumë prej posterave gjigandë që janë vendosur në pikat më të kalueshme të qytetit. Mbi një poster të një kandidati janë hedhur baltë apo janë ngjitur të tjerë poster që janë grisur nga ndonjë dorë tjetër dhe pamja që shikon është vërtetë e shëmtuar. Tashmë dihet se mbështetësit e kandidatëve kanë ikur në punët e tyre dhe detyra për të pastruar qytetin nga këto postera është e ndërmarrjes së shërbimeve publike që nuk duhet të vonojë për ta bërë një gjë të tillë. Sidomos këto ditë kur kanë filluar të shtohen pushuesit vendas dhe të huaj në qytetin bregdetar.