E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria hap qesen për investime në shkollat e Durrësit

4 shkolla të reja dhe 7 ekzistuese të arsimit të detyruar dhe atij të mesëm kanë përfituar fonde të konsiderueshme para disa ditësh, duke shpresuar që maksimumi pas një viti të kenë përfunduar këto investime. Burime nga drejtoria arsimore rajonale në Durrës kanë bërë të ditur se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar para disa ditësh një fond prej 322 milion lekë në total për ndërtimin e katër shkollave të reja në fshatin Rreth Shijak, Hardhishtë, Rubjekë dhe Fllakë fshat. Drejtori i DAR-it në Durrës Vasillaq Papaj ka bërë të ditur se njësitë vendore përkatëse ku futen fshatrat e mësipërm janë duke bërë gati dokumentacionin për tenderimin e fondeve për ndërtimin e shkollave të reja fillore dhe të arsimit të detyruar 9-vjeçar. Nga këto investime, është planifikuar që të ndërtohet shkollë e re 9-vjeçare me palestër  në fshatin Rreth Shijak me vlerë 40 milion lekë, shkollë 9-vjeçare në fshatin Rubjekë të komunës Maminas me të njëjtën vlerë (40 milion), shkollë 9-vjeçare në Fllakë fshat të komunës Katund i Ri, tek antenat me vlerë 30 milion lekë dhe shkollë fillore në fshatin Hardhishtë të komunës Gjepalaj me vlerë 16 milion lekë. Përveç katër shkollave të reja, me fonde të MASH-it do të bëhet e mundur edhe rikonstruksioni i disa shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, i shoqëruar me shtesa anësore dhe mbi ndërtesën ekzistuese të kateve. Më konkretisht nga kjo pjesë përfiton rikonstruksion gjimnazi i Ishmit me vlerë 15 milion lekë, rikonstruksioni i gjimnazit të Manzës së bashkë me ndërtimin e palestrës së re me vlerë 49 milion lekë, rikonstruksion gjimnazi i Katundit të Ri me vlerë 25 milion lekë, shtesë dy kate në shkollën 9-vjeçare Bisht Kamëz, komuna Katund i Ri  me vlerë 30 milion lekë, rikonstruksion dhe shtesë kati në shkollën  Petrit Llaftiu Shijak me vlerë 32 milion lekë, shtesë anësore dhe rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare Isuf Ferra në Durrës me vlerë 13 milion lekë si dhe rikonstruksioni dhe shtesa anësore e katër kateve në shkollën 14 Nëntori në qytetin e Durrësit. Në total Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë në Durrës 322 milion lekë, por kësaj shume do ti shtohet edhe një fond tjetër nga buxheti i bashkisë së Durrësit që është planifikuar për këtë vit për arsimin. Të njëjtat burime nga DAR kanë bërë të ditur se bashkia e Durrësit ka miratuar një fond prej 20 milion lekë për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare Kushtrimi i Lirisë, 10-15 milion lekë për rikonstruksionin e oborreve të shkollave të mesme Leonik Tomeu dhe Olsi Lasko për të eliminuar përmbytjet e vazhdueshme të tyre si dhe një fond tjetër prej 10 milion lekë për izolimin e çative dhe tarracave të shkollave që pikojnë gjatë dimrit. Drejtori Papaj ka shtuar në këtë pikë se për momentin bashkia nuk ka planifikuar asnjë fond për lyerjen e shkollave, të cilat në vitet e fundit janë lyer para fillimit të vitit shkollor me fonde të vetë nxënësve dhe familjeve të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›