E Diel, 1 Nëntor 2026

Pishinat burim infeksioni, mbi 30 persona në ditë vizitohen në poliklinika

Mjekët: Mbani larg këtyre ambienteve fëmijët  
Me mbërritjen e sezonit të verës të gjithë nisen drejtë plazheve dhe pishinave pa e menduar se që andej mund të kthehen të sëmurë. Sipas rezultateve të fundit nga mjekët infeksionit është bërë e ditur se uji i pishinave si dhe ai i plazheve jo të pastra janë bërë shkaktarët kryesorë për një sërë sëmundjesh. Numri i pacientëve që mbartin infeksione nga ujërat jo të pastra të pishinave dhe deteve sa vjen edhe rritet. Sipas të dhënave në klinika ka arritur një numër mbi 30 pacientë në ditë vetëm për shkak të këtyre infeksioneve. Ajo çka mjekët theksojnë me forcë është se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që të paktën fëmijët ti mbajnë larg ujit të pishinave.
Në kryeqytet dhe në periferinë e afërt ekziston një numër i konsiderueshëm i pishinave por sa duhet të kemi kujdes në këto vende? Paraqet rrezikshmëri uji i pishinave? Sipas specialistëve, në krahasim me vitet e kaluara pishinat e kryeqytetit paraqiten në një gjendje më të mirë, por megjithatë ato apelojnë te qytetarët që të kenë kujdes për higjienën qoftë në pishina apo dhe në plazhe për të shmangur kështu infeksionet e mundshme. Sipas mjekëve infeksionit dhe ato dermatolog një problem shume i madh janë mbeturinat e shumta nëpër plazhet e vendit tonë. Më tej ata theksojnë se qytetarët duhet ti shmangen qëndrimit në rërë te papastër, sepse mungesa e pastërtisë në këto ambiente mund të bëhet shkaktar në shfaqjen e sëmundjeve infektive.
Numër i lartë pacientësh me infeksione nga uji i deteve dhe pishinave
Rreth 30 persona çdo ditë, paraqiten në poliklinika për të marrë trajtim mjekësor, pjesa më e madhe fëmijë. Sëmundjet i kanë peshqesh kryesisht nga plazhi i Durrësit dhe nga pishinat. Këtë fakt e dëshmojnë mjekët dermatologë, të cilët pohojnë një dyfishim të rasteve duke raportuar infeksione të lëkurës, që shfaqen pas plazheve. Sipas mjekëve deri më tani, janë tre lloje të ndryshme të infeksioneve që janë shfaqur tek plazhistët, dhe pikërisht ato të lëkurës, syve dhe të veshëve. Gjithsecili, infeksionet shkaktohet nga uji i ndotur, ndërkohe pacientët që preken janë më delikate dhe të ndjeshëm ndaj këtyre mikrobeve.
Më të rrezikuarit nga infeksionet e plazheve dhe pishinave janë fëmijët
Kategoria më e madhe e pacientëve që kanë probleme me lëkurën janë ata që kanë frekuentuar detin dhe kjo, për shkak të ujit të ndotur. "Me nisjen e sezonit turistik, numri i personave që kanë probleme me lëkurën, është dyfishuar. Janë pikërisht rastet të cilat shfaqin infeksione. Fluksi më i madh është gjatë fillimit të javës, pas përfundimit të plazhit. Pacientët ankohen për kruajtje, skuqje të trupit ënjtje dhe tek shumë prej rasteve, puçrrat janë të qelbëzuara", pohojnë mjekët dermatolog. Sipas tyre, flluskat dhe shenjat në trup janë simptomat e para te këtyre infeksioneve, por në një stad të avancuar ato mund të shoqërohen edhe me temperaturë. Sipas mjekëve është e domosdoshme që kryesisht fëmijët, të çohen menjëherë në spital ose në poliklinikat e lagjes, për të marrë recetat me pomadat përkatëse. Në rast se neglizhohen flluskat në trup nga të kruarat mund të infektohen dhe te sjellin pasoja për të sëmurët. Një tjetër këshillë e mjekëve, është shmangia e plazhit në rast se shfaqet infeksioni, deri në shërimin e tij.
Mjekët këshillojnë
Duke parë rastet në rritje nga java në jave, mjekët nuk ngurojnë të japin këshillat kryesore për sa iu përket këtyre sëmundjeve. Këshillat përkojnë me shmangien në maksimum të mikrobeve patogjene që e shkaktojnë këtë grup sëmundjesh, pra stafilokok dhe streptokok, që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur dhe në ujin e pishinave, shezlong, etj. "Prandaj rekomandohet që sapo të dilni nga uji i detit apo i pishinave, të shpëlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël. Po ashtu rekomandohet përdorimi i peshqirëve të plazhit, në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë i lëkurës me rërën apo shezlongët e plazhit", pohojnë specialistët. Sipas tyre, pas ekspozimit për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj këtyre faktorëve, shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës. Është mjaft e rëndësishme që personat që kanë pasur probleme të tilla me parë, apo që kanë ndjeshmëri të lartë të lëkurës, rekomandohet që nëse kanë planifikuar të shkojnë në plazh, të konsultohen më parë me një mjek specialist. Kjo në mënyrë që të shmanget ripërsëritja e sëmundjes, tek personat e predispozuar.
Shmangia e infeksioneve në pishina
Shpesh fëmijët paralajmërohen nga prindërit, e sidomos nëna, që të qëndrojnë larg pishinave të cilat nuk pastrohen, pra nuk filtrohet uji i tyre dhe nuk vendoset klor në të.
Por një raport i fundit nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), megjithatë, tregon se sëmundjet mund të përhapen edhe nëse pishinat mirëmbahen mirë, dhe ato vazhdimisht pastrohen. Sipas CDC-së, në pishina mund të merren sëmundje të ndryshme si ato gastrointestinale, infeksionet e lëkurës, veshit, të frymëmarrjes, syve, plagë neurologjike dhe infeksione të ndryshme, por nga më të zakonshmet është sëmundje diarreike. Edhe pse klori vret shumicën e baktereve që gjenden në pishinë, për një gjë të tillë duhen së paku disa orë që ky të ketë efektin e duhur. E njëjta gjë vlen edhe për ujin e kripur. Por shumica e njerëzve janë më shumë të rrezikuar nga uji i pishinave, dhe sëmundjeve që transmeton ai, se sa nga uji i kripur i detërave. Fëmijët, gratë shtatzëna, njerëzit me organe të transplantuara, ata që marrin kimioterapia janë ata që më së shumti rrezikohen nga sëmundjet serioze, që vijnë nga pishinat.
 *****************************************************
Infeksionet e veshit nga pishinat më të shpeshtat
Specialistët tregojnë se nga infeksionet e veshit në stinën e verës rrezikohen të gjithë grupmoshat. Këto infeksione janë të pranishme jo vetëm tek të vegjlit por edhe tek të rriturit. Sipas mjekëve, kjo vjen si pasojë e pakujdesive, në rastet kur diçka edhe sado e vogël qoftë lë pasoja në shëndetin tuaj. Shkak për shfaqjen e infeksionit të veshit është edhe larja në ujin e papastër në det apo edhe në pishina. Edhe pse në fillim mund të vihen re komplikacione të lehta, mos trajtimi i tyre mund të bëhet shkak i infeksioneve të tjera që mund të kalojnë nga veshi në organe të tjera. Prandaj, efektet e këtij infeksioni në shëndet mund të jenë tepër të rënda. Një nga këto infeksione është krijimi i mykut në vesh, si një pezmatim i këtij organi. Pjesa më e madhe e këtyre komplikacioneve, shfaqen si pasojë e mbledhjes së mikrobeve të ndryshme në zona të caktuara të kanalit të veshit në pjesën e jashtme. Të gjitha këto shkaktohen nga lagështia e tepërt, e pasur me mikrobe që hyjnë në vesh. Shqetësuese gjendja mbetet sidomos për ata persona të cilët frekuentojnë pishinat, ku këto të fundit janë dhe më të rrezikshme në këtë drejtim.

***********************************************
Sëmundjet dhe masat që duhet të merren

1)    Infeksionet e lëkurës janë myku, pullat e bardha, fotodermatozat
2)    Shmangia e mikrobeve patogjene që e shkaktojnë këtë sëmundje
3)    Stafilokok dhe streptokok, që mund të hasen në rërën e ndotur
4)    Këto mikrobe gjenden edhe në ujin e pishina dhe shezlong
5)    Shpërlani trupin me ujë të ëmbël sapo të dilni nga uji
6)    Përdorni peshqirët e plazhit, që të shmanget kontakti i lëkurës me rërën
7)    Personat që kanë pasur probleme të tilla më parë, konsultë me mjekun
8)    Pacientët ankohen për kruajtje, skuqje të trupit ënjtje
9)    Në disa raste ka puçrra të qelbëzuara
10)    Flluskat dhe shenjat në trup janë simptomat e para të këtyre infeksioneve
11)    Në një stad të avancuar sëmundja shoqërohet me temperaturë.

Last Updated on Thursday, 09 July 2009 17:30

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›