E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vendos letrat me vlerë, si mënyra më e re e pagesës në procesin e legalizimit

Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për lejimin e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit. Kryeministri Berisha u shpreh se këto ndërhyrje në ligjin e legalizimeve bëhen  në përputhje me premtimin elektoral, për të lejuar përdorimin e letrave me vlerë, në pagesën e ndërtimeve që do të legalizohen. Por, ky nuk do të mund të hyjë në fuqi, derisa të mblidhet parlamenti i ardhshëm për të ndryshuar ligjin e legalizimeve, i cili sipas kryeministrit Berisha parashikon aktualisht pagesën vetëm me lekë. Lidhur me letrat me vlerë, pas një analize shumë serioze të juristëve, ata mendojnë se duhet të ndërhyhet patjetër në ligjin e legalizimeve, pasi ky ligj ka të përcaktuar që pagesa bëhet në lekë.Kështu që duhet të ndërhyjmë në ligj, në përputhje me premtimin e bërë. 80 për qind të vlerës të të gjithë sipërfaqes që i takon në përputhje me ligjin do ta paguajnë me letra me vlerë, është shprehur kreu i qeverisë. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, Berisha sqaroi se për sipërfaqet jashtëligjore, që ligji e parashikon me vlerë tregu, 50 % e tyre do të paguhen me letra me vlerë. Në këtë kontekst, Berisha sqaroi se nëse një personi i takon të legalizojë banesën dhe 300 m2 në përputhje me ligjin, ai 80 për qind do ti ketë, pra, ashtu siç janë përcaktimet ligjore. Sipërfaqja ekstra, që është jashtë parashikimit ligjor të procesit të legalizimit dhe që është parashikuar të paguhet me vlerën e tregut, do të jetë 50 me 50. u shpreh kryeministri. Po ashtu, kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare ul në masën 0.5 %  të vlerës së banesës për legalizim, taksën e infrastrukturës. Është bërë dhe një ndërhyrje jashtëzakonisht e domosdoshme për procesin e legalizimit, është ulur taksa e infrastrukturës. Duke qenë se ky është një proces masiv është vendosur që kjo taksë të jetë 0.5 % e vlerës së banesës për legalizim, është shprehur Berisha. Një premtim të tillë, kryeministri Berisha e kishte dhënë në mbledhjen e fundit të qeverisë, kur edhe pak ditë ndanin nga zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë mbledhje, Berisha kishte deklaruar se shumë shpejt Këshilli i Ministrave do të kalojë një vendim, me anë të të cilit gjithë personave që janë në proces legalizimi të banesave të tyre, iu bëhet e mundur që 80 për qind të vlerës ta paguajnë me anë të letrave me vlerë. Berisha i ka konsideruar letrat me vlerë, të emetuara nga Qeveria në vitet 1995-1996 dhe të cilave iu është zgjatur afati i përdorimit të tyre tre vjet më parë, si një detyrim madhor, duke shtuar se i gjithë procesi i legalizimit, përveç taksës së infrastrukturës, që është taksë e qeverisjes vendore, do të kalojë përmes letrave me vlerë. Sipas këtij vendimi, pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi dhe me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të këtij ligji. Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Në fund të shkronjës dh, të nenit 19, shtohen fjalët ... dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.

Last Updated on Thursday, 09 July 2009 18:03

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›