Mbërrin në Spitalin Ushtarak komandoja Aleksandër Peci

Aleksandër Peci, nëntetari shqiptar i plagosur në Afganistan më 20 shkurt të këtij viti, i transportuar nga Rinasi me ambulancë ka mbërritur në Spitalin Ushtarak në Tiranë për të kryer një kontroll mjekësor.
Në orën 15 00, në Spitalin Ushtarak, nëntetar Aleksandër Peci do të takohet me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, si dhe me ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura ndërsa më pas, ai do të shoqërohet për në familjen e tij.
Nëntetari që u plagos gjatë një sulmi të një polici afgan në Kandahar, ka qëndruar që prej 23 shkurtit në një spital amerikan në Gjermani, ku u mjekua për plagët e marra.
Nëntetar Peci, i cili u plagos në krye të detyrës gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, Afganistan, më 20 shkurt 2012, pas një terapie intensive që iu bë në Spitalin Amerikan të Bazës Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit dhe mandej në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjerman, rikthehet në atdhe në gjendje të mirë shëndetësore.