E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në Tiranë drejtori i zgjerimit në KE Sannino

Pritet të mbërrijë sot në Tiranë , Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino. Lajmi bëhet i ditur nga “Zëri i Amerikës” i cili thekson se vizita e tij ka për qëllim një përpjekje të re për t`i dhënë një shtysë të fundit bisedimeve që po zhvillohen mes shumicës dhe opozitës për realizimin e disa reformave të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli. Sipas "Zërit të Amerikës" i cili citon burime diplomatike, përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian Sannino do të qëndrojë në Tiranë deri nesër dhe do të ketë takime me të dyja palët.
 

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort në parim për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, i pari që lidhet me reformën zgjedhore dhe i dyti që ka të bëjë me një kërkesë të opozitës për ndryshime në rregulloren e parlamentit, ndonese kjo nuk është bërë ende publike, persa kohe mbetet ende pezull çështja që ka të bëjë me ligjet të cilat kërkojnë një votim me tre të pestat në parlament, pra dhe mbështetjen e opozitës.
 

Kjo çështje në fakt këto ditë është përmendur shumë nga të dy krahët. Kryetari socialist Edi Rama deklaroi të hënën se grupi i tij parlamentar do të paraqesë një axhendë të detajuar për miratimin e këtyre ligjeve. Nga ana e saj, shumica ka ushtruar trysni të vazhdueshme publike duke i kujtuar opozitës se ajo bllokoi procesin e integrimit për shkak të refuzimit për të votuar këto ligje e duke shtuar se sipas saj, opozita nuk ka dhënë asnjë argument ligjor se përse i kundërshton.
 

Por socialistët kanë përsëritur disa herë se sipas tyre, këto ligje kanë mangësi në përputhjen me standartet e kërkuara nga Brukseli. Mosmarrëveshja për të gjetur një zgjidhje për afatet brenda së cilave duhet të miratohen në parlament, reflekton edhe mosbesimin e thellë që ekziston mes palëve. E ndoshta ndërhyrja e Drejtorit të Përgjithshëm Stefano Sannino mund të shërbejë për të vënë ekuilibrin e nevojshëm. Vizita e tij në Tiranë e 20 ditëve më parë përshpejtoi procesin e diskutimeve mes shumicës dhe opozitës duke bërë që të kapërcehej ngërçi lidhur me reformën zgjedhore dhe atë për rregulloren e parlamentit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›