E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell : Shtetin nuk e bëjnë simbolet por ushtrimi i shtetësisë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell,në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se pajtimi me mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale është në favor të Kosovës, ndërsa kritikoi ashpër kundërshtarët e saj.

Sërish po e them, mendoj se e kanë gabim. Thjesht dhe qartazi e kanë gabim. Shtetësia e Kosovës forcohet nëpërmjet ushtrimit të shtetësisë. Ai nuk ushtrohet duke u mbështjellë me flamur e duke thënë unë jam Kosova, jam i lirë. Jo.

Ju e fitoni shtetësinë duke punuar për të. Ju e fitoni shtetin duke e ndërtuar atë. Ju e fitoni vendin në komunitetin ndërkombëtarë duke punuar për të dhe duke punuar me të tjerët. Jo duke qëndruar ulur në shtëpi, duke pirë kafe në ndërtesën e Parlamentit dhe duke folur për simbole dhe formula të pakuptimta.

Kemi parë komente të mira nga analistë ndërkombëtarë të cilët vërejnë se për arsye krejt praktike, Rezoluta 1244 është e vdekur. Ajo është në libra, sepse vende të caktuara që kanë të drejtë vetoje në Kombet e Bashkuara, nuk duan të lejojnë largimin e saj nga librat. Por, në pikëpamje praktike, nuk ka kuptim. Dhe këtu qëndron rëndësia e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të para një viti e gjysmë, se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244, që nuk ka asgjë të paligjshme në pavarësinë e Kosovës.

Kuptimi i saj është se, rezoluta 1244 nuk ka më vlerë. Kjo është në pikëpamjen e të gjitha vendeve që e kanë njohur Kosovën, të cilat përfaqësojnë nëse jo shumicën e vendeve në botë, atëherë shumicën e demokracive liberale me të cilat Kosova dëshiron të identifikohet, shprehet Dell në intervistë.  / Koha.net

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›