E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në brigjet e Greqisë anija “Navigator of the seas”

Nga Aleksandër Marku
Një prej anijeve turistike më të mëdha në botë, ka vizituar portin e Selanikut dhe ka mahnitur banorët e qytetit. 

SELANIK- “Navigator of the seas” është emri i anijes së dytë më të madhe në botë. Anija gjigante hodhi spirancën dje në portin e Selanikut për disa orë duke shkaktuar admirimin e banorëve të qytetit.
Por akoma më mbresëlënëse, janë pamjet e anijes brenda saj aty ku luksi është tepër i dukshëm.
Anija është ndërtuar para 6 vitesh në qytetin Turku të Finlandes për llogari të shoqërisë amerikane “Royal Karribian” dhe është krenaria e flotës së saj të përbërë nga 33 anije turistike.
Pasi mbërriti në Selanik nga Mesina, shumë prej 3100 pasagjerëve të saj vizituan disa prej pikave turistike të qytetit si dhe muzeumin e Vergjinës.
“Navigator of the seas”, ka një gjatësi prej 311 metra dhe gjerësi 48 metra . Lartësia e saj nga niveli i detit arrin në 55 metra, kurse shpejtësia e saj shkon deri në 22 milje detare në orë. Tek 15 katet e anijes, përveç kabinave luksoze klientët gjejnë pishina, spa, palestra, fusha basketbolli, mini golf, mure për alpinizëm, pista vrapimesh. Për ata që nuk preferojnë sportet ka teatro, pistë patinazhi, kazino, restorante dhe klube. Bulevardi shëtitës ndodhet përgjatë gjithë bordit të saj.
Një udhëtim shtatëditor me anijen luksoze kushton nga 500 deri në 1500 dollarë për person. Natyrisht ai që është në gjendje mund të shijojë udhëtimin edhe në suitat të cilat kushtojnë rreth 50.000 dollarë.
Në portin e Selanikut pasagjerët i priste një mikpritje e këndshme me valle karakteristike të krahinës.
Ata që do të duan të shohin përsëri kolosin e deteve të ankoruar në portin e qytetit te Selanikut, do ta kenë këtë mundësi deri në datën 5 Nëntor, ditë që kjo anije ka programatizuar për udhëtimin e ardhshëm të saj. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›