E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi “Kashari në gjykatë, Sulaj hedh poshtë akuzat

Ish-kryekomunari i Kasharit, Alfred Sulaj hodhi poshtë në procesin gjyqësor akuzat për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” për disa troje të cilat mendohet se janë tjetërsuar për qëllime përfitimi. 

TIRANË - Proçesi për çështjen “Kashari”, vijoi këtë të mërkurë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë me deklarimet e të pandehurve, të cilët akuzohen për abuzime me tokat në komunën e Kasharit, afro 18 kilometra larg Tiranës. Një nga të pandehurit në proces, ish-kryetari i Komunës së Kasharit, Alfred Sulaj hodhi poshtë akuzat për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” për disa troje të cilat mendohet se janë tjetërsuar për qëllime përfitimi.
Ai deklaroi para trupit gjykues se, nuk ka kryer falsifikime të dokumenteve, përkundër dyshimeve të ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës. Të pandehur në çështjen “Kashari” janë 9 persona, mes tyre ish-drejtues të Komunës së Kasharit, të cilët akuzohen për abuzime me tokat e kësaj Komune. Prokuroria pretendon se abuzimet me tokat janë bërë përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë.
Të pandehurit u arrestuan disa muaj më parë në një operacion të organizuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e rrethit Tiranë.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›