Mbërrin trupi i Aleks Nikes

Në orën 14:00 trupi i pajete i Aleks Nikës, 36 vjeçarit nga fshati Grykë Manat i Lezhes, ka zbritur në tokën shqiptare ne aeroportin e Rinasit. Nika ndërroi jetë të shtunën ne nje spital ne Turqi, ndërsa prej ditësh ndodhej në vdekje klinike, pas plumbit që mori në kokë në demonstratën e 21 Janarit. Orët e pritjes së trupit të pajetë, kanë qenë të dhimbshme veçanërisht për familjarët, por dhe për gjithë të pranishmit, të cilët kishin ardhur për ta përcjellë drejt shtëpisë në Lezhë trupin e pajetë të Aleksit. Familjarët kanë nisur të kryejnë ritualet mortore që në Rinas, duke respektuar njerëzit të cilët kishin ardhur të ndanin me ta këto ore të vështira. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm dhe kryetari i PS-së Edi Rama e shumë deputete të PS-së, të cilët kanë nderuar trupin e pajetë të Aleksit deri në momentin kur ai, është drejtuar drejt Lezhës bashkë me familjarët. Deputeti socialist i Lezhës, Gjok Jaku ka akuzuar kryeministrin Berisha për vrasjen e të riut lezhjan. Si dëshmitar okular në ngjarje, shumë pranë me Aleksin, tregon momentin e vrasjes. Me humbjen e Aleksit, numri i personave të vrarë në demonstratën e 21 janarit shkon në katër. Në 29 janar, Nikaj u nis drejt Turqisë, për një ndërhyrje më të specializuar pas plumbit që kishte marrë në kokë. Por pak ditë më parë, ai pësoi vdekje klinike. Ndërkohe, mësohet se bashkë me trupin, është sjellë ne një zarf edhe plumbi i cili do të shërbeje si prove për prokurorinë.
Shpërndaje