Mbërriti sot në Rinas kontigjeni i parë i paqëruajtësve shqiptarë nga Iraku

Një kontigjent prej 95 ushtarësh dhe ushtarakësh shqiptarë, që përfundoi me sukses misionin në Bagdad, mbërriti sot pak pas mesdite në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza” në Rinas, Tiranë.
Avioni me kontigjentin e parë të ushtarakëve shqiptarë që morën pjesë në misionin “Liria e Irakut”, në Bagdad, u ul rreth orës 12:45 të ditës së sotme, ndërsa pritet dhe ardhja e një kontigjenti tjetër nga Mosuli.
Kontigjenti prej 95 ushtarësh dhe ushtarakësh ishte nisur nga Shqipëria në shtator të këtij viti.
Dy ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se pas rreth 5 vjetësh të pjesëmarrjes së trupave shqiptare në operacionin “Liria e Irakut”, ushtarakët shqiptarë përfundojnë me sukses misionin e tyre në këtë vend. Kontigjentet që morën pjesë në këtë mision ishin struktura të Regjimentit “Komando”, dhe në këto 5 vjet janë angazhuar në Irak 1338 ushtarë shqiptarë.
Bashkë me trupat shqiptarë pritet të mbërrijë dhe ministri Gazmend Oketa, i cili ndodhej në Irak për të marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të këtij misioni.