Perandoria e kuqe dhe “oreksi” vrastar
<!-- @page { size: 8.5in 11in; margin: 0.79in } P { margin-bottom: 0.08in } -->
Cikli: Eksperimenti me emrin komunizëm
Triumfin plot humbje njerëzore kundër Gjermanisë naziste e pasoi zgjerimi i dhunshëm i “Perandorisë së Kuqe” të Stalinit dhe Lufta e Ftohtë. Por pikërisht në zgjerimin e kufinjve dhe urinë e pafre për hegjemoni, qëndron edhe thelbi i rënies së mëvonshme të saj
Lufta e ftohtë që përfshiu në mënyrë globale gjysmën e dytë të shekullit të ‘20, tashmë kishte kaluar. Parë në retrospektivë, del mëse e qartë se Bashkimi Sovjetik, i cili ishte i armatosur deri në dhëmbë, duke bërë karshillëk si superfuqia tjetër e botës përkrah SHBA-së, jo vetëm se dështoi në vetvete, por ndër të tjera edhe si pasojë e pamundësisë për të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e mosshfrytëzimit si duhet të resurseve të shumanshme që zotëronte. Por një aspekt tjetër i dështimit të eksperimentit komunist dmth. të sistemit sovjetik, ishte dhe politika e tij e jashtme, ambiciet hegjemoniste të të cilës kontribuan jo pak në kolapsin e tij .
Detyrimi ushtarako-politik dhe jo - le të themi - bindja politike, me të cilën u arrit fitorja mbi Hitlerin në 1945, ishte ajo që fillimisht e mbajti më këmbë Perandorinë gjatë Luftës së Ftohtë, me të cilën ajo u zgjerua dhe që e bëri në të njejtën kohë kaq të thyeshme. Për rrugë të pavarura të vendeve të tjera komuniste në kampin e vet, përveç asaj të përcaktuar e dirigjuar absolutisht nga Moska gjatë Lufëts së Ftohtë, kishte pak hapësirë – dhe kjo pothuajse u mbajt në këtë formë deri në fund të ekzistencës së BS-së. “Devijatorë” i quanin ata hungarezët në vitin 1956 apo pjesëmarrësit e ideatorët e “Pranverës së Pragës” në 1968, duke i shtypur me dhunë ushtarake e ushtruar presion politik. Aty ku kjo politikë nuk ishte e mundur, siç ishte rasti i Jugosllavisë së Titos në vitin 1948, apo dhe rasti i Mao Ce Dunit në Kinë e satelitit të tij në Europë, Shqipërisë, në vitet 1960, devijatorët “vuajtën” së paku damkën me pasoja politike e bllokada ekonomike. Në mënrë simbolike, Perandoria u rrënua brenda e jashtë në momentin kur në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë, nën drejtimin e Gorbaçovit , jo presioni politik, por sepse republikave të BRSS-së, ashtusikurse edhe shteteve “vëllezër“, nuk iu ndalua më e drejta e vetëvendosjes. Ishte kësisoj e ashtuquajtura “Doktrina Sinatra" ("I did it my ëay"), siç e cilësonte asokohe me ironi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Sovjetike, Genadij Gerasimov në vitin 1989, që bëri të mundur vënien në çengel të këpucëve të shtetit sovjetik e gjithë Perandorisë së tij të stërmadhe. Pretendimi i kahershëm i Moskës, konkretizuar me anë të dhunës nuk do të thoshte se në lojë nuk ka pasur kurrë bindje politike. Në kohët e Luftës së Ftohtë, shpesh u anashkalua fakti se Tito, Dubçek apo dhe Mao, në aspektin ideologjik ishin komunistë të bindur dhe në asnjë mënyrë nuk do të zgjidhnin rrugën për të dezertuar në Perëndim, siç besonte shumëkush. Utopia komuniste dhe sidomos stalinizmi fituan dalëngadalë shumë pasues e fansa, siç vërtetohet nga shumë fakte e madje edhe shënime e kujtime personalitetesh nga fusha të ndryshme edhe në Perëndim. Dhe madje edhe vetë vdekja e diktatorit Stalin në vitin 1953, la pas, përveç lehtësimit, qartazi edhe një hendek ndër “besimtarët” komunistë. Ajo u dëshmua si shumë e madhe, saqë disa shtete të Perandorisë Sovjetike – përveç Kinës edhe Shqipërisë – në vitin 1956 thjesht refuzuan të ndiqnin kursin e destalinizimit të vendeve të tyre, të inicuar nga Hrushovi.
Se sa e fortë ishte forca bindëse e idesë komuniste u vërtetua edhe me çkolonizimin e nisur në vitet gjashtëdhjetë. Thuajse të gjitha lëvizjet antikoloniale në “botën e tretë”, në Azi, Afrikë apo në Amerikën Latine, ishin të orientuara nga vizioni marksist. Kjo nuk ishte vetëm një refleks kundër zotërve të mëparshëm kolonialë nga Perëndimi. Para së gjithash, në Afrikë, për shumëkënd shihej qartë se shtetet e papërgatitura drejt pavarësisë, e mbanin socializmin si rruga që mbartte një të ardhme të sigurtë.
Në politikën botërore, Bashkimi Sovjetik - përsa i përket politikës së jashtme, e cila u ngrit pas Revolucionit të Tetorit në vitin 1917 - erdhi nga një pozicion e rol plot njolla e komplekse. Në valixhen diplomatike, ai mbartte me vehte edhe një mosbesim të thellë, që ishte kundërvënës me ta, saqë kjo përcaktoi edhe politikën e jashtme të bolshevikëve. Ishte një hipotekë që ndërkohë, e kishte inicuar politika e jashtme cariste. Konsolidimi në politikën e jashtme nisi në vitin 1932, kur mund të nënshkruheshin pakte mossulmimi dhe ndihme reciproke me vendet fqinje; në vitin 1933, u krye edhe njohja diplomatike e BRSS-së nga ana e SHBA-së dhe në vitin 1934 me pranimin në Lidhjen e Kombeve u shënuan dy suksese të rëndësishme prestigji. Njohjen me shumë mundim të vendit të tij nga bashkësia ndërkombëtare, Stalini e zhvlerësoi me fushatën e tij të spastrimeve në vitet ‘ 30, dhe i vuri vulën me paktin që bëri me Hitlerin në mënyrë të fshehtë në vitin 1939. Kjo aleancë i mundësoi Stalinit që ta zgjeronte fillimisht perandorinë e tij në kurriz të vendeve balltike dhe Polonisë, duke u zgjeruar në Perëndim, pa rrezikuar t’ i hynte një gjemb, në dukje. Përpjekja për të detyruar finlandezët me kërcënimin ushtarak të linin territore në favor të Moskës, në dimrin e ashpër 1939/40, dështoi megjithatë me turp. Ashtusikurse edhe më parë, qarkulloon akoma thashethemi se, paraqitja mizerable e Ushtrisë së Kuqe në luftën sovjeto-finlandeze, paskësh qenë madje një marifet i Stalinit, për të maskuar kapacitet e forcën e tij faktike.
Shteti i Stalinit pas sulmit gjerman në qershor 1941 gjendej në prag të rrënimit. Gjermanët qysh në tetor gjendeshin në dyert e Moskës. Vetëm pas krijimit të këtij sfondi dramatik, u bë e qartë se anglo-amerikanët, të cilët në luftën civile qëndronin në krah të trupave bjellogardiste kundër Revolucionit, vendosën të mbështesnin Stalinin në mënyrë masive, për të penguar rënien e BRSS-së dhe forcimin e mëtejshëm të Hitlerit. Gjithsej, amerikanët deri në vitin 1945 vunë në dispozicion të sovjetikëve material e furnzime luftarake me vlerë prej disa miliarda dollarësh. Si detyrën më të rëndësishme, deri në vitin 1945, si Roosevelt ashtu edhe Churchill shihnin, "shmangien e rrezikut gjerman një herë e mirë për Europën e botën".
Që kjo aleancë do të ishte shumë e brishtë, këtë e dinte mirë edhe Stalini; dhe ai u soll me të njejtën përkujdesje në çdo hap. Në maj të vitit 1943, ai shkriu zyrtarisht Komintern-in, i cili qysh në vitin 1919 shihej nga Perëndimi me mosbesim si qendër e Revolucionit Botëror. Qysh në shtator 1941, ai iu bashkangjit “Kartës së Atlantikut”, e cila parashihte dhe njihte të drejtën e popujve për vetëvendosje, zgjedhjen në liri të formës së regjimit, një refuzim të njohjes së aneksimeve të bëra nga Gjermania dhe aleatëte të saj, shmangien nga dhuna për zgjidhjen e problemeve, si dhe tregtinë e lirë si parimet më maksimale të rendit të pasluftës. Që këto parime qëndronin diametralisht në skaje të ndryshme me ato të ndjekura në ish-Bashkimin Sovjetik, “takticienin” Stalin nuk e shqetësonin. Ai nuk e kishte gjithashtu ndonjë problem t’ i bashkangjitej thuajse edhe "deklaratës për Europën e lirë", e cila përmbante të njejtat tone që në shkurt 1945 u njohën si themelet e paslufëts në Konferencën e Jaltës. Sot gjithkush e di se Komintern-i, pas vitit 1943, në mënyrë të fshehtë vijonte të funksiononte dhe lëshimet e veçanta të Stalinit ishin thjesht deklarata gojore. Konsensusi që binte në sy, zotëronte në fakt përsa kohë që Hitleri ishte gjallë. Në konsensus të plotë me aleatët, Stalini mund të përmbushte projeketet tij të politikës së jashtme. Angloamerikanët pranonin qysh në fund të vitit 1943 aneksimet e bëra nga Bashkimi Svjetik në Europën Lindore e atë Qendrore: diktatori sovjetik mund të mbante nën zotërim tashmë, si territoret e pushtuara me të padrejtë në Balltik, ashtu dhe Poloninë Lindore, të marrë nga Pakti me Hitlerin. Në një takim tjetër, të zhvilluar në Moskë, këtë radhë pa Roosevelt-in, Stalini në tetor 1944 mundi të binte shumë mirë dakord me Churchill-in për ndarjen e sferave të influencës në Europën Lindore e atë Qendrore. Churchill-i asokohe kishte shënuar në bllokun e tij me dorë në një letër, se sa i madh ishte ndikimi i Stalinit atje dhe kjo do të hapte debat për çdo përqindje. Në Rumani për shembull, ishin 90 përqind, në Bullgari 75, në Hungari dhe Jugosllavi 50 e në Greqi 10 përqind.
Katër muaj më vonë, aleatët perëndimorë i rezervuan diktatorit të pangpour sovjetik tashmë edhe një paketë edhe më mbresëlënëse, për ta fituar atë në fitoren përfundimtare kundër Japonisë. Në këtë pikë që flasim, askush në Uashington nuk besonte se në rastin më të keq, lufta në Azinë Lindore do të vazhdonte deri në vitin 1949. Stalini ra dakord për të hyrë në luftën kundër Japonisë, por pas humbjes së këtyre të fundit, të mos mbështeste komunistët kinezë. Roosevelt sërish dha miratimin e tij që Moska të rifitonte sërish zonat e humbura më parë nga Cari në vitin 1905 në luftën me japonezët. U ra dakord edhe mbi mënyrën e votimit dmth. të vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të krijuar rishtaz pas Luftës.
Se si duhej vlerësuar taktika e bisedimeve dhe marrëveshjeve të Stalinit për periudhën e pasluftës në konferencën vendimtare të Jaltës, ka mbetur edhe sot e kësaj dite një pikë e debatueshme ndër historianët. Disa, gatishmërinë demonstrative për kompromis tek Stalini, e shohin jo më shumë se sa thjesht një mjet për të mashtruar Perëndimin. Të tjerë shohin aty shenjat se gatishmëria për marrëveshje e diktatorit ishte e madhe, por nga Perëndimi me kalimin e kohës, nuk iu kushtua më vëmendje e u paragjykua. Që Stalini në fakt mendonte tjetër gjë dhe maste pulsin kur ai premtonte, kjo dukej qartazi në Jaltë. Përballë Polonisë për shembull, për Stalinin nuk pati asnjë kompromis. Këtu, ai pati bërë të qartë qysh në verë të vitit 1944 se, pas luftës ai do të njihte vetëm Komitetin e Lublinit, me pikëpamje prosovjetike, por në asnjë mënyrë, qeverinë në ekzil të formuar në Londër qysh prej vitit 1940 nën drejtimin e Stanislaë Mikolajczyk.
Konflikti që po shfaqej shpërtheu kur Hitleri vdiq, ashtusikurse ishte parashikuar nga shumëkush. Në periudhën e cilësuar si ajo “e inkubacionit” mes viteve 1945 - 1947, si në Moskë, ashtu edhe në Uashington e Perëndim ishin të sigurtë se ndërkohë, ekzistonte një lloj atmosfere lufte, që herët apo vonë mund të shndërrohej në konflikt të armatosur. Në Moskë, kjo përplasje në horizont përshkruhej si lufta e klasave në nivel global. Zëdhënësi i Stalinit në këtë aspekt ishte bërë tashmë Sekretari i Partisë së Leningradit dhe shefi i ideologjisë në Politbyro, Andrej Zhdanov. Fjalimi i tij, i mbajtur në shtator 1947, cilësuar në terminologjinë politike si "fjalimi i dy kampeve", ishte një përgjigje direkte ndaj fjalimit të mbajtur në mars të po atij viti nga Presidenti amerikan, Harry Truman, për pengimin e komunizmit, njohur si “doktrina Truman” –gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë.
Replika e Zhdanovit e bëri mëse të qartë se si trajtohej gjendja nga këndvështrimi sovjetik. Me paralajmërimin për të ngritur një "Zyrë Informative Komuniste" (Kominform) si pasuese legale të Komintern-it të dikurshëm, Zhdanovi i dha zë përgjigjes së Stalinit, e cila konceptohet si deklarata për luftë e sovjetëve në kontekstin e Luftës së Ftohtë. “Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore - thuhej në atë fjalim - kanë lindur dy kampe, një agresiv “imperialisto-antidemokratik”, në Perëndim, që i kundërvihet atij “anti-imperialist-demokratik”, duke e parë njëri-tjetrin si armiq për vdekje. Kështu del qartazi nevoja për të mbledhur sa më shumë aleatë për të bërë të mundur fitoren”. Stalini e dinte për herë të parë definitivisht se shkencëtarëve të tij do t`u ndrinte shumë shpejt ylli dhe brenda dy vjetëve do të mund të sillnin ne jetë një bombë atomike sovjetike, në mënyrë që të konkuronin të paktën tendencialisht në këtë mënyrë Perëndimin. Në Gusht 1949, sovjetikët testojnë me sukses “Tatjanën”, bombën e tyre të parë atomike. Por ajo u bë më së shumti e njohur me emrin “Joe-1” siç e quanin amerikanët asokohe bombën ruse, e cila në fakt ishte vetëm një kopje e bombës së hedhur nga amerikanët në Nagasaki, por që teknikisht qëndronte shumë mbrapa modeleve amerikane. Por më këtë hap, BS sigurisht se kishte demonstruar me forcë kapacitetet e tij ushtarako-teknike. Dalë-ngadalë, në këtë kohë në BS u arrit niveli, i cili sipas përllogaritjeve zyrtare ishte i aftë të përballonte një luftë me kundërshtarin. BS zotëronte në 1950 pesë bomba atomike, një vit më vonë 25 dhe në 1952, numri i tyre shkoi në 50. Por testi i suksesshëm i bombës së parë atomike me hidrogjen në vitin 1953, i cili u krye vetëm pak muaj pas testit të amerikanëve, e bëri përfundimisht të qartë se BS ishte tashmë plotësisht në gjendeje të përballonte teknikisht rivalin. Gara për armatimin bërthamor tashmë kishta marrë udhë dhe ishte bërë faktor në rritje për përcaktimin e mëtejshëm të hapave në politikën e jashtme. Politika e jashtme sovjetike, në periudhën direkt pas Luftës së Dytë, ishte përqëndruar kryesisht në zgjerimin e Perandorisë së Kuqe në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Në të njejtën kohë vijonin edhe përpjekjet për të fituar ato territore ku rreziqet për sovjetikët nuk ishin të mëdha. Deri në 1948, nën presionin e vazhdueshëm të Moskës, u krijuan të ashtuquajturat “demokraci popullore”, një varg shtetesh në dukje të pavarura që do të formonin rripin e sigurisë në kufi me BS. Tashmë, si të sigurta vlenin Polonia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Shqipëria, Jugosllavia dhe Çekosllovakia. Por, sigurisht se me Luftën e Ftohtë globale, si Stalini, edhe pasardhësit e tij ngulnin thumbat atje ku shihnin rezistencë të dobët nga Perëndimi. Aty ku hasnin rezistencë serioze, sovjetikët nuk e kishin problem të tërhiqeshin pa shumë drojë. Kështu, në 1946 dështoi plani për të mbështetur separatistët në Iran e për të marrë rezervat e naftës. Dhe në mënyrë fare të qartë e të vendosur Stalini u pozicionua në 1946-47 kundër mbështetjes së komunistëve në luftën civile në Greqi, pasi i druhej një reagimi të fortë anglo-amerikan. Megjithatë, kazani i kampit të demokracisë popullore kishte pësuar rrjedhje ndërkohë që Jugosllavia vazhdonte t`i ndihmonte komunistët grekë, duke thyer urdhrat e Stalinit, gjë që çoi përpos arsyeve të tjera, edhe në prishjen e Titos me Stalinin në 1948. Kriza e parë e Berlinit në 1948-49, ishte gjithashtu një përpjekje e dështuar për të futur nëm hyqmin sovjetik Berlinin Perëndimor, duke e kërcënuar me ndërprerjen e furnizimeve.
Vijon numrin e ardhshëm
...