E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbesa e Beso Gegës : "E vërteta e Darkës së gabuar

Violinistja e shquar shqiptare, kundërshton shkrimtarin Ismail Kadare për fabulën që u frymëzua në romanin e tij

Këto ditë, në Teatrin Kombëtar në Tiranë, u shfaqet drama "Darka e gabuar", mbështetur në motivet e romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Ismail Kadare. Këtë e mësova nga emisionet e lajmeve dhe në kronikat kulturore të kanaleve televizive të Tiranës; pothuajse të gjithë i kishin kushtuar hapësirë të veçantë shfaqjes!

Nuk e di, por sa herë që dëgjoj për këtë vepër, ndihem e shqetësuar. Shqetësimi im filloi para disa muajsh, kur shkrimtari Ismail Kadare në emisionin televiziv Opinion të Blendi Fevziut, deklaroi se motivet e romanit Darka e gabuar i merrte nga një ngjarje e vërtetë, që kishte ndodhur në vendlindjen e tij, Gjirokastër, në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare.

Kadareja tha se megjithëse ishte fëmijë, i mbante mend me detaje se si një doktor u shpëtoi jetën 80 burrave gjirokastritë, sepse ai për koincidencë kishte qenë në klasë me komandantin gjerman, që komandonte autokolonën gjermane. Në shenjë të kësaj miqësie, doktori e ftoi në shtëpinë e tij ku hëngrën darkë.

Çdokush e di se shpesh krijuesit, për krijimtarinë e tyre, marrin motive nga realiteti dhe më vonë këto i shtjellojnë artistikisht. Por fakti që nga goja e shkrimtarit kjo ngjarje u paraqit e vërtetë dhe reale, më bëri të mendohesha më gjatë. Më bëri të mendohesha dhe ta shikoja dramën me syrin e së vërtetës reale, si kishte ndodhur ngjarja dhe sa besnike është vepra letrare e artistike sot. E vërteta reale ka kuptimin edhe të së vërtetës në veprën letrare, në qoftë se deklarohet se ngjarja është reale.

Ashtu si libri, edhe drama Darka e gabuar, që u vu plot zhurmë në Teatrin Kombëtar të Tiranës, nuk bazohet në rrjedhën reale të ngjarjes së ndodhur në Gjirokastër gjatë viteve të luftës kundër nazizmit, siç thotë autori i librit, Kadare, dhe as në personat kryesorë faktikë. E njoh mirë këtë histori nga prindërit e mi dhe duke e parë atë të ndryshuar, diçka brenda meje më brente. Nuk e di as vetë pse vendosa të heshtja për një kohë. Por këto ditë, kur pashë në televizor skenat e dramës, zëri që më thërriste nga e vërteta e kaluar dhe e treguar nga të parët e mi, më bëri të shkruaja këto radhë.

Vendosa të shkruaja këtë artikull, të tregoj ngjarjen reale si ka ndodhur në të vërtetë:

Këtë histori ma ka treguar që në fëmijëri gjyshi im, Qemal Gega, një mjek veteriner, i cili studioi në Francë dhe Itali para luftës dhe më vonë punoi me devotshmëri pa u lodhur tërë jetën fshatrave të Mallakastrës e Fierit, duke u shërbyer njerëzve. Vitet e fundit të jetës ai i kaloi burgjeve dhe internimeve.

Ja si është e vërteta:

Një autokolonë naziste gjermane, që kthehej nga Greqia, u godit nga njësitë partizane në rrugën Libohovë - Gjirokastër dhe një motoçiklist gjerman u plagos. Atëherë gjermanët ndaluan dhe ngritën mortajat, me të cilat filluan të godisnin qytetin. Njerëzit, të alarmuar, iu drejtuan Beso Gegës, babait të gjyshit tim. Beso Gega ishte një farmacist i respektuar, personalitet i qytetit, gjatë gjithë kohës anëtar i Këshillit Bashkiak dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore kryente dhe de facto detyrën e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës. Njerëzit e pyetën Beson se çfarë të bënin.

Ai u përgjigj: Hapni çarçafë të bardhë në dritaret e shtëpive, dhe njerëzit kështu bënë. Gjermanët atëherë e ndaluan zjarrin dhe u ngjitën në qytet. Atje kapën rreth 80 burra, që i gjetën në Qafën e Pazarit dhe i rreshtuan në Sheshin e Çerçizit. Përpara vunë mitralozin gati ti ekzekutonin. Nuk mund të shpjegohet çfarë ankthi dhe tmerri krijoi ajo situatë. Gratë, të lebetitura, iu drejtuan xha Besos:

Aman xha Beso, çfarë të bëjmë?... Na shpëto burrat!

Futuni mes burrave dhe mitralozit!, tha ai. - Gjermanët nuk qëllojnë mbi ju!

Atëherë ai thirri mjekun e nderuar Vasil Laboviti, i cili njihte gjuhën gjermane dhe përmes tij iu drejtua komandantit gjerman:

Unë jam kryetari i bashkisë së qytetit. Ju kërkoni nga ne ku janë partizanët, po unë ju garantoj dhe përgjigjem me jetën time se në qytet partizanë nuk ka. Lërini burrat të lirë, këta nuk kanë faj.

Këto fjali i përktheu doktor Vasili. Komandanti ra dakord dhe 80 burrat u liruan. Nuk u hëngrën as drekëra e as darkëra.

Ishte pikërisht kjo ndodhi në Gjirokastër, shpëtimi i jetës së 80 burrave nga gjermanët, shkaku pse Beso Gega u dënua pas luftës me vdekje, si bashkëpunëtor me gjermanët. Në vitin 1945, Beso Gegën, pushteti popullor e dënoi me vdekje pikërisht për këtë ndodhi. Më pas, vendimi u kthye në 25 vjet burg. Beso Gega bëri përfundimisht plot 10 vjet burg dhe u lirua në vitin 1955.

Akti i sipërpërmendur i Beso Gegës nuk është i rastësishëm. Edhe sot në Arkivin e Londrës gjendet telegrami me emrin e tij drejtuar qeverisë angleze për të drejtat territoriale të Shqipërisë. Ai luftoi si vullnetar në Luftën e Vlorës më 1920, ku edhe u kap e u dënua nga fashistët italianë.

Beso Gega është një nga ata përfaqësues të qytetit, që u nisën për në Shkodër për të marrë në mënyrë ceremoniale eshtrat e luftëtarit Çerçiz Topulli. Në Tiranë ata takuan rastësisht Enver Hoxhën. Xha Beso tha: Sikur të marrim Enverin, ta mbajë ai fjalimin, si djalë i ri gjirokastrit, sesa njëri nga ne, si pleq. Dhe kështu u bë. Por për ironi të fatit, pas luftës ishte Enveri, i cili dha urdhër që nga fotografia në ballkon ku u mbajt fjalimi, të hiqeshin të gjithë personat sjellës të eshtrave të Çerçizit dhe ai të mbetej i vetëm.

Beso Gega kishte për bijë Liri Gegën, ose siç thuhet rëndom, është babai i Liri Gegës. Liri Gega është një personalitet i madh, thuajse legjendë, për historinë e Luftës Antifashiste dhe po kaq legjendare për thelbin e komunizmit në Shqipëri. Mbasi Liri Gega u ngjit deri në majë të udhëheqjes së Partisë Komuniste, së bashku me burrin e saj Dali Ndreu - një luftëtar i madh kundër nazizmit, të dy u pushkatuan nga regjimi komunist për shkak të ideve të tyre atdhedashëse dhe liberalizuese për jetën e vendit. Liri Gega, në shenjë proteste ndaj pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, dogji flamurin italian në sheshin kryesor të Firences. Për këtë e arrestuan dhe e sollën të lidhur në atdhe. Më vonë Liria u bë komisare e zonës së parë operative Vlorë - Gjirokastër. Anëtare e Byrosë Politike (maja e kupolës së Partisë dhe të shtetit), që në vitin 1956 u pushkatua së bashku me të shoqin, Dali Ndreu.

Këta ishin Vasili real dhe Besoja real; por jo ata të dramës titulluar Darka e gabuar, Beso ishte edhe babi i Astrit Gegës, komandanti i Çetës së Libohovës, që mbas luftës do të ishte sekretar i parë i Partisë në Gjirokastër, më vonë gjithashtu i dënuar me burg.

Beso Gega është edhe babai i Petrit Gegës, dëshmor i luftës dhe i ekzekutuar nga fashistët italianë në Libohovë, ku ka dhe lapidarin.

Ja, ky është njeriu që Kadareja nuk e përmend në libër dhe as dramatizimi pas romanit.

Ironia nuk mbaron këtu, por edhe në dramën që pretendon se ngjarja është reale, ai paraqitet krejt i kundërt: ishte në ndihmë të njerëzve kundër nazistëve, por paraqitet si kolaboracionist i nazizmit.

Natyrisht, dokumentet janë edhe sot në arkivat e Ministrisë së Drejtësisë.

Në një takim të fundit, që Beso Gega pati me nënën e babait tim (gjyshen time), ai i tha se komunizmi në Shqipëri do të zgjatë shumë dhe do të ishte shumë i ashpër, këtë gjë ai nuk mund ta duronte. Beso Gega përfundoi pas kësaj në një vdekje tragjike vetëvrasjeje. Kjo është historia e vërtetë e "Darkës së gabuar".

Kush është Evis Gega?

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›