E Shtunë, 31 Tetor 2026

BEKIMI DHE LUMI I BEKUAR

Lumbardhi në Prizren E papritur ishte vdekja, dhe i papritur e i panjohur ndër ne ishte rituali i pasvdekjes së artistit Bekim Fehmiu. Vetëvrasja si vullnet, dhe kremimi e hedhja e hirit në lumë si amanet, e tronditën shemën mendore me të cilën funksionon logjika jonë në rastet kur dikush ndërron jetë. Artisti i pavdekshëm e përdori edhe vdekjen si vepër arti, si thënie domethënëse, ashtu siç e përdori madhërishëm zërin, gjuhën, trupin, jetën dhe, në fund, heshtjen e vet.

Hiri i BEKIMIT e bëri Lumbardhin lumë të BEKUAR. Me këtë, Lumbardhi i Prizrenit po bëhet lumë i shenjtë për kulturën tonë. Ai do të vazhdojë të rrjedhë i qetë e gurgullues, magjepsës, i bukur e freskues, i zhurmshëm e rrëmbyes, e mbi të gjitha - krenar deri në përjetësi, se në shtratin e vet mban hirin e Bekim Fehmiut. Lumbardhi nuk e mori Bekimin, por Bekimi e mori Lumbardhin dhe e bëri lumë të bekuar. Dhe jo vetëm Lumbardhin, por Bekimi e bekoi edhe Drinin e Adriatikun, e bekoi atdheun e vet dhe popullin e vet.

Tash e tutje, këtij lumi do t’i shtohet edhe kujtesa për hedhjen e hirit të trupit të aktorit dhe artistit më të madh ndër shqiptarë. Çdo kalimtar i cili ecë brigjeve të këtij lumi, kalon mbi urat e këtij lumi, pi kafe në kafiteritë pranë këtij lumi, ulet e pushon në parqet ose pushimoret e këtij lumi, shikon valët e këtij lumi, dëgjon gurgullimën dhe përjeton lagështinë e këtij lumi, ka ndjenjën se diku afër vetës, diku pranë ka diçka prej Bekimit. Sa frymëzues do të jetë ky lumë tash e tutje për poetët, për aktorët e artistët, për të rinjtë e të vjetrit, për të gjithë ata që e duan artin dhe të bukurën, për të gjithë ata që e synojnë madhështinë dhe veçantinë.

Vdekja e tij ishte kumbim në zbrazëti.

A ishte e rëndësishme minuta e heshtjes? Jo, sepse artisti i madh vet kishte heshtur me vite dhe më nuk kishte nevojë për asnjë minutë heshtjeje. Ai i pari kishte heshtur për ne, për artistët e intelektualët, për qeveritarët e parlamentarët, për të gjithë ata që e njohin mirë mjeshtërinë e shtirjes, të shndërrimit e të metamorfozës prej luftëtari në shkencëtar, prej injoranti në politikan, prej hamami në hamam.

A ishte e rëndësishme dita e zisë? Jo, sepse edhe zinë e kishte kryer artisti më herët. Ai duke parë se ç’po ndodhë me artin, kulturën, politikën, moralin, shoqërinë, ishte kredhur në heshtje dhe në zi.

Dhe si i fuqishëm që ishte, për një çast dhe përgjithmonë, doli nga humnera e heshtjes dhe e zisë, e çoi shpirtin e vet në amshim, kurse trupin ia ktheu fuqive të përjetshme të natyrës – njëherë zjarrit, e pastaj ujit. Jeta vazhdon, e Lumbardhi i bekuar gurgullon...!
Ne mbetëm pa të, sepse ai kishte mbetur pa ne.

Autori është mësimdhënës në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›