E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta dixhitale

Aktorja Rozina Kostani debuton me regjinë skenike. Me komedinë e Martial Courcier "Më e vërtetë se e vërteta" kërkon të ngacmojë publikun me historinë e njeriut të atrofizuar në kohën e high tech-ut


Paratë, qejfet, babëzia i kanë hequr shijen e jetës dy njerëzve të quajtur Xhulio dhe Françesko. Janë mbi 35 vjeç, drejtues të një firmë të madhe nafte. Nevoja për të mbushur zbrazëtinë shpirtërore e shtyn Xhulion të krijojë robotin Kloe, femrën ideale, që iu kthen besimin te dashuria.


Historia që tregohet te "Më e vërtetë se e vërteta" shkruar më 2001 nga dramaturgu francez Martial Courcier, e bindi aktoren Rozina Prendi Kostani të prezantohet si regjisore.
Problemet që ky autor bashkëkohës ngre për njeriun robot të kohëve moderne, publiku i ka të njohura.


Përsëritja e tyre me zë të lartë në teatër, Rozina mendon se do t'i bëjë njerëzit më të ndjeshëm. Qëllimi i saj është ta ngacmojë ndjeshmërinë e spektatorit qoftë edhe me aroma, pasi beson tek teatri i ndjesive.


"Më e vërtetë se e vërteta" shfaqet sonte dhe dy net të tjera, ora 21.00, në sallën "Çehov" të Teatrit të Metropolit. Interpretojnë: Lulëzim Zeqja (Xhulio), Neritan Liçaj (Françesko) dhe Luli Bitri (Kloe).

Me skenografen Laedia Hajdari, regjisorja ra dakord për një skenë që të përcillte idenë e iluzionit. Kostumet e kësaj shfaqjeje janë realizuar nga Erida Teta.


Si aktore e teatrit dhe më pak e kinemasë, Rozina e hedh hapin të vogël dhe të ngadaltë. Vitet e fundit ajo është shfaqur te "Zysh e dashur" me regji të Mehmet Xhelilit, në rolin e Nënë Terezës te "Nënë Tereza" me regji të Bruno Shllakut, Maria Elena tek "Knepp" me regji Eglantina Cenoimerit dhe balerina te "Etja" e Lorin Terezit.


Prej dhjetë vitesh jep lëndën Mjeshtëri Aktori në Akademinë e Arteve.


Dikush që e ka regjinë e parë në teatër si ju sonte, duhet të ketë më shumë se një arsye për të zgjedhur një vepër si "Më e vërtetë se e vërteta" dhe jo një tjetër?


Martial Courcier është një dramaturg i ri në trillin e komedisë. "Më e vërtetë se e vërteta" është shkruar në vitin 2001 dhe autori ka marrë çmimin "Molier" në Festivalin në Parisit me këtë pjesë. Në strukturën e ndërtimit dramaturgjik ai ngjan me Molierin dhe kjo më ka joshur. Courcier vë në dukje problemet e kohës së tij. Në komedinë "Më e vërtetë se e vërteta" trajton dizhitalizimin e jetës. Ne po e ndërlikojmë shumë jetën.


eknika e lartë, kaq prezente në jetët tona, po na mbyt. Lehtësohemi nga ana praktike, por shkëputemi nga ndjeshmëria, nga natyra. Çfarë do të thotë të jesh i natyrshëm në këtë botë? Të shikosh një njeri në sy dhe të lexosh diçka aty. Të mos ekzistojnë gjithmonë mburojat. Të mos e shikosh nga "vrima e çelësit", me dyshim. Kemi shumë nevojë të ndiejmë.


Në pjesë ndihet një thirrje e madhe për të parë tek njëri-tjetri dhe jo më tek objektet. Objektet nuk mund ta zëvendësojnë kurrë njeriun. Kjo më intrigoi tek pjesa. Kishte shumë rrezik që mund të çohej në një grotesk, por nuk e pranoj dot këtë. Më pëlqen të godas mbi një temë të caktuar se sa ta hedh thjesht për t'u gajasur.


Si është kjo jeta dixhitale sipas Courcier-it?


Dy shokë, Xhulio dhe Françesko, njëri drejtor dhe tjetri menaxher i një naftëmbajtëseje fitojnë para me grushta, dalin, shpenzojnë, femrat nuk iu mungojnë, por nuk ndiejnë më asgjë, ndihen bosh. Françesko e ka zgjidhur thjesht jetën. Është pragmatist, nuk beson te dashuria. Xhulio është lodhur nga konsumimi i seksit.


Ai po çmendet dhe pyet si ka mundësi që nuk provon asnjë lloj ndjesie. Në një moment dorëzohet dhe pret të gjejë dashurinë. Pjesa fillon në ditën e 35 vjetorit të tij. Përgjithësisht në përvjetorë njerëzit ndiejnë plakjen që po u afrohet dhe për qenien njerëzore plakja është e dhimbshme. Françesko i sjell dhuratë robotin Kloe. Ai u nis nga pragmatizmi sepse vetë do të dëshironte që të kishte një mjet me të cilin të kryente çdo gjë. Roboti është femër. Ngjan me pinokun.


Paralelizmi është shumë i bukur dhe është një spunto shumë e mirë e autorit. Bën fjalë për nevojën. Boshllëku ynë shpik diçka. Në këtë rast ka shpikur robotin që po përgatitet t'i afrohet ndjesive njerëzore. Në fakt, kjo është e frikshme. Por, kjo është është thirrja e tyre, përpëlitja e dy njerëzve.


Si keni punuar me makinën Kloe, a është ajo personazh mes dy meshkujve?


Kishim dilema, si ta sillnim këtë personazh. Në momentin e parë, spektatori sheh një robot perfekt. Gjatë zhvillimit të veprës, ajo shkrihet dhe bëhet njeri. Në bazë të programit merr vlera njerëzore dhe vetë krijuesi i saj, është në dilemë për lëkurën, buzët e saj të ngrohta, për ta pranuar këtë qenie si të vërtetë. Xhulio e programon, ashtu siç e do ai. Ky është një mesazh që njeriu nuk ka humbur, pavarësisht se mbulohet me koraca.


Personazhi i Xhulios, në rol Lulëzim Zeqja transformohet në çdo skenë, derisa bie në dashuri çmendurisht. Bie edhe Françesko i cili nuk besonte tek dashuria, por nga mënyra sesi Kloe shprehet për ndjenjat, sesi duhet të ndërtohet një marrëdhënie në çift, ai dorëzohet. Lulëzim Zeqja ka për të nxjerrë një figurë të spikatur, ai transformohet dhe lë gjurmë.


Françesko, personazhi i Neritan Liçajt është snob, është trendy. Është koha e trendy-t. Nëse nuk je i tillë, nuk ke vend në shoqëri. Je i mënjanuar.


Puna me personazhet ka qenë intensive, pasionante. Vetëm kështu bëhet. Janë vepra të shkruara në kohën tonë, që nuk pranojnë artifice. Që në momentin e parë kur kam shtruar platformën, kam thënë: kërkesë imediate është vërtetësia. Ne kemi publikun shumë afër dhe duhet të depërtosh tek spektatori. Aktorët kanë qenë të bindur në këtë gjë dhe e kanë dëshmuar edhe me punë.


Ku fokusohet këndvështrimi juaj?


Një regjisor duhet fillimisht të zgjedhë veprën dhe pastaj të dijë qartë çfarë do të japë nëpërmjet saj. Përveç historisë që ka krijuar autori tek "Më e vërtetë se e vërteta" unë kam krijuar një këndvështrim timin. E kam trajtuar si një iluzion.


Është një ëndërr që dua do ta ëndërroj me sy hapur. Ne kemi dy dilema të mëdha mes asaj që duam dhe asaj që duhet. Ajo që dua duhet të zotërojë atë që duhet. Kjo është thirrja ime personale. Me skenografen Laedia Hajdarin jemi kuptuar në këtë koncept. Unë dua të jap iluzionin dhe ajo po ashtu.


Si është krijuar iluzioni në skenë?


Në mënyrë të butë dhe intriguese. Çdo gjë deformohet gjatë zhvillimit të veprës.
Nuk kam futur objekte në skenë sepse bëhet fjalë për një iluzion. Në imagjinatë, në ëndërr i kemi dhe s'i kemi objektet, i prekim, ose nuk i prekim. I vetmi personazh që sjell objekt në skenë është roboti, që sjell mollën dhe lulet.


Janë dy simbole të jetës. Kur hyn Kloe në skenë sjell aromën e lilave, që do ta ndiejë edhe publiku në sallë. Kemi marrë aromën më të fortë, që vërtet të krijojë ndjeshmëri. Teatri duhet të shkojë drejt ndjesive, duhet të ngacmojë. Mund ta ngacmojmë spektatorin edhe me aromë, ashtu siç bëjmë me dritën, me lëvizjen.


Ju vetë si arrini ta mbani ndezur dëshirën dhe ndjeshmërinë?


Besoj tek forca e brendshme. Nuk përpiqem të arrij gjë me mendimin se "kështu duhet". Unë thjesht dua. Ky është motivacioni që e vë motorin në lëvizje. Dëshira e brendshme. Mund të hash, të pish, por nuk ndjen ekzistencën reale, atë të shpirtit. Po të më vdesë shpirti, nuk do të doja të isha.

Një motiv që e mban ndezur "motorin" tuaj është edhe puna në Akademi. Si ndiheni aty dhe me ç'nivel studentësh ballafaqoheni?


Kam përvojë 10-vjeçare në Akademi. Për sa i përket studentëve, çdo brez ka nuancat e tij.
Mënyra sesi e perceptojnë ata jetën është krejt ndryshe nga çfarë e kam perceptuar unë. Kjo nuk duhet të ballafaqohet fare.


Kam kursin e vitit të tretë Regji. Janë djem dhe vajza që punojnë me dëshirë, kjo më pëlqen. Tani kanë mundësi për më shumë hapësira. Është hapur Teatri i Metropolit, që unë e falënderoj që më ka hapur dyer. Është shumë pozitive të hapen dyert butë, pa "i rënë me grushta".


o të doja vetëm që Akademia e Arteve të reformohej në lidhje me përzgjedhjen e studentëve dhe të ekzistonte një status i veçantë për shkollën e arteve. Duhet të ketë një strukturë të qartë që të dijnë të gjithë ku e kanë vendin. Kështu gjërat do të shkonin shumë më mirë.


Këtë vit jeni angazhuar edhe në filmin "Out of touch" të Andi Delianës.


Ç'rol keni aty?


Rolin e një zyshe matematike që përpiqet ta ndërtojë familjen e vet nga hiçi. Vjen një moment që burri e tradhton me sekretaren e tij. Më ka bërë përshtypje tek personazhi kjo luftë e brendshme, përpjekje për të pasur, por jo me zor, jetën e dikurshme. Luaj bashkë me Laert Vasilin, Kastriot Kaçin, Elidon Alikajn. Bashkëpunimi me Andi Delianën ishte interesant. Është një djalë me shije, përpëlitje të brendshme.



Përpara premierës mbahet një minutë heshtje në kujtim të aktorit Bekim Fehmiu. Keni diçka për të thënë?


Ndjehem keq për humbjen dhe ndjehem mirë për këtë lloj kujtese emocionale. Bekim Fehmiu është një ndër referimet tona nëpër botë.

Fotot: Endri Sejdini


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›