Durrës, gjykata marton emigrantin e vdekur
Nisin hetimet për vendimin e rrallë dhe konfliktin që ka nisur mes familjarëve të një emigranti të vdekur për trashëgiminë e tij. Përfitimi financiar ka nxjerrë në skenë vendime gjyqësore që janë përplasur mes tyre dhe që kanë përfunduar në organin e akuzës. Ndërkaq, gjyqtari që ka vendosur rinjohjen e martesës ka dalë në pension. Ditën e djeshme, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nisur hetimet për rastin e rrallë, kur gjykata njeh ligjshmërinë e një martese të prishur 6 vjet më parë, duke nxitur konflikt mes palëve. Trashëgimtarët e të ndjerit emigrant përfitojnë një shumë të konsiderueshme të ardhurash në bazë të sigurimit të jetës dhe detyrimeve që rrjedhin nga aksidentet në punë. Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit dje i është përgjigjur kërkesës së prokurorisë, duke i vënë në dispozicion dosjen e plotë me vendimet e rastit të Artan Lipos. Historia duket e çuditshme, por është e vërtetë dhe e motra e Lipos është kthyer nga Italia për të kërkuar drejtësinë e mohuar. Pasi ka marrë vesh vdekjen e ish-burrit të saj në Francë, një nga ish-gratë e tij, Shegush Ballhysa ka vendosur të përfitojë duke kërkuar dëmshpërblimin që rrjedh si pasojë e siguracionit të jetës, pas vdekjes në një aksident pune. Vendimi për ndarjen e Artan Lipos nga Shegush Ballhysa është bërë më 10 nëntor të vitit 2003 nga gjyqtarja e ndjerë Merita Xhani. Divorcin e kishte kërkuar Lipo me arsyetimin se marrëdhëniet bashkëshortore ishin tronditur thellë, që pas martesës së tyre në vitin 1996 dhe emigrimit në Itali, ku kanë nisur edhe kontradiktat e forta mes tyre. Ky divorc ishte bërë në mungesë të Shegushes, e cila përfaqësohej në këtë gjyq civil me prokurë nga avokatja e saj Margarita Ferro. Ballhysa ka përfituar nga mungesa në këtë gjyq dhe ka deklaruar se vërtet kishte shkëputur lidhjet me të shoqin, por ama ajo nuk ishte në dijeni të shkurorëzimit dhe ishte ende gruaja e tij. Ndërkohë, Lipo ishte martuar dhe ndarë ligjërisht edhe nga një tjetër grua, pas divorcit me Shegushen, e cila nga martesa e saj e parë ka 3 fëmijë. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 11-2009-557 (258) të datës 29 qershor të këtij viti ka vendosur të prishë vendimin civil të Gjykatës së Rrethit për zgjidhjen e martesës. Dhe rrjedhimisht, përmes një tjetër vendimi, ajo njihet si trashëgimtare e tij. Përveç prishjes së vendimit nga Apeli është një tjetër vendim i gjyqtarit që ka dalë në pension, Faslli Çeka, i cili i njeh statusin civil ish-gruas. Lipo, me statusin e një emigranti të rregullt jetonte e punonte në vendet e BE-së. Ai humbi jetën një vit më parë në Francë, në një aksident pune. Kur familjarët e tij janë vënë në lëvizje për të përfituar dëmshpërblimin, kanë konstatuar se e shoqja kishte kërkuar të njëjtën gjë, ndërsa ai ishte i ndarë prej vitesh nga Shegushja. Atëherë janë zbuluar lëvizjet gjyqësore që e mbanin të martuar Artan Lipon me Shegush Ballhysën, e cila pretendon të përfitojë dëmshpërblimin financiar, ndërkohë që e motra e Lipos është kthyer nga Italia duke denoncuar këto veprime gjyqësore që rëndojnë mbi dy shkallët e gjyqësorit në Durrës. Hetimet kanë nisur për të zbardhur plotësisht vendimet kontradiktore të gjyqësorit dhe mbi bazën e tyre do të përcaktohet jo vetëm fati i një dëmshpërblimi financiar, por edhe i rekomandimeve a masave që do të jepen për gjyqtarët që kanë dhënë vendimet.