E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryshfeti, nën hetim gjyqtari i Elbasanit

Një CD me përgjime dhe filmime u është servirur në mënyrë verbale anëtarëve të KLD-së nga prokurorja Ina Rama, e cila ka kërkuar heqjen e imunitetit të gjyqtarit Qani Hasa, i cili ushtron detyrën në Gjykatën e Elbasanit. Sipas prokurorisë dhe përmbajtjes së CD-së, gjyqtari Hasa u kërkonte ryshfet familjarëve të të pandehurit, i cili gjykohej për veprat penale të mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Shuma që ka kërkuar gjyqtari Hasa, sipas burimeve nga prokuroria, ka qenë tre milionë lekë. Pas paraqitjes së provave dhe fakteve që implikonin gjyqtarin në fjalë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë votuar heqjen e imunitetit dhe pezullimin nga detyra të gjyqtarit Qani Hasa, duke i hapur rrugë Prokurorisë së Tiranës ta hetojë për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe marrjes së ryshfetit.

Votimi
Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin, që e mbronte nga vepra penale,
gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, pasi është filmuar teksa ka marrë ryshfet. Nënkryetari i KLD-së dhe ministri Nishani kanë votuar për heqjen e imunitetit dhe hapjen e procedurave për fillimin e procedimit penal për gjyqtarin në fjalë. "Mbi kërkesën e Prokurores së Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi autorizimin për fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Elbasan, Qani Hasa, duke evidentuar për pasojë ligjore të kësaj situate pezullimin nga detyra të gjyqtarit", thuhet në njoftimin zyrtar të KLD-së.
Ndërkohë, në komunikime zyrtare, organi qendror i akuzës pohon se ka kërkuar marrjen e një autorizimi për procedim penal ndaj gjyqtarit Qani Hasa, pasi prokuroria e Task-Forcës në Tiranë kishte regjistruar procedimin për të nën akuzën e korrupsionit pasiv. Çështja e gjyqtarit Hasa ka mbërritur në Task-Forcën e Tiranës që prej muajit qershor, menjëherë sapo Prokuroria e Elbasanit e transferoi dosjen në kryeqytet, për shkak se nuk kishte një zyrë të tillë në këtë rreth.

Hetimi
"Organi i prokurorisë, mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi, ka kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore në drejtim të fakteve të prezantuara, si dhe të identifikimit të personave të përfshirë në të. Hetimet e deritanishme të kryera prej njësisë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë hedhur dritë mbi një veprim korruptiv (marrje një shume parash) të këtij gjyqtari nga familjari i një të pandehuri të arrestuar, në këmbim të një dënimi më të butë në raport me atë të kërkuar prej prokurorit të çështjes", thuhet në burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, gjyqtari, gjatë dhënies së një vendimi, ka përgjysmuar dënimin për një person nga 10 vjet që kishte kërkuar prokuroria, në 5 vjet burg. I dënuari ishte një person i arrestuar për veprën penale të mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë person, sipas prokurorisë, ekziston edhe një kallëzim dhe një kasetë, ku gjyqtari rezulton të jetë regjistruar duke bërë "pazaret". Mësohet se Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës së Elbasanit një mandat kontrolli në shtëpinë e gjyqtarit, por gjykata e rrëzoi, pasi procedura parashikon që në raste të tilla KLD-ja duhet të vendosë për imunitetin e më tej organet hetimore kanë të drejtë të hetojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›