Kavajë, shteti braktis vajzën e lidhur me zinxhirë
"Ky është vendi i të parëve, të tjerët nuk kanë fat". Le të mbeten aty ku janë. Armenda, 22-vjeçarja nga fshati Rreth Greth i Kavajës, vazhdon të qëndrojë e lidhur me zinxhirët që i tringëllijnë sa herë lëviz kokën, buzëqesh a ulëret. Rastet e para të të sëmurëve mendorë që mbaheshin në kushte të përafërta në Fier dhe në një fshat të Maqellarës në Peshkopi morën reagimin e menjëhershëm të strukturave shëndetësore. Tërhoqën edhe vëmendjen e aktorëve të shoqërisë civile që punojnë me njerëz që kanë këto probleme. Por vetëm kaq. Publikimi i të tjera rasteve që solli dhe një shpeshtësi të fenomenit të zinxhirlidhjes nuk solli asnjë reagim. Asnjë ndihmë, asnjë mbështetje dhe viktimat e këtij fenomeni mbetën aty. Në të njëjtin vend. Në të njëjtat kushte. Të lidhur pa shpresë se një ditë do të marrin një ndihmë të specializuar. Madje as nuk e kanë idenë që ajo ekziston, ndërkohë që të tjera raste denoncohen si akuzë ndaj një familjeje dhe shoqërie që dhunon. Spiro Tani, babai i vajzës 22-vjeçare nga fshati Rreth Greth i Komunës Kryevidh të Kavajës thotë për gazetën "Shqip" se ekziston një indiferentizëm i plotë nga mjekët e Kavajës apo nga kushdo tjetër për rastin e së bijës. "Nuk kam pasur asnjë reagim. Asnjë nuk ka ardhur këtu dhe as nuk i ka rënë telefonit për të pyetur", thotë ai i shqetësuar që e bija vazhdon të qëndrojë në të njëjtat kushte, pa ndihmën e duhur. Armenda Tani është vetëm 22 vjeçe dhe në qafë i rëndojnë si të ishte një qen zinxhirët e vendosur nga familjarët e vet. Ajo kërkon asistencë të plotë. Të zënë me jetën e përditshme dhe pamundësinë për të ofruar një mbështetje të duhur për vajzën e tyre ata kërkojnë ndihmë. Nuk është e zakontë për ta që e mbajnë të lidhur si një qen vajzën, por "ndihen të detyruar, pasi ajo nuk është e përgjegjshme". Që në muajt e parë të ardhjes në jetë, mjekët konstatuan se nuk ishte një fëmijë me zhvillim normal. Që në moshën 7 - 8-vjeçare shfaqi shenjat e para të agresivitetit dhe dhjetë vjet më vonë familja e vuri nën frerë papërgjegjshmërinë, dhunën e saj ndaj vetes dhe të tjerëve me një zinxhir. Pamja e saj nën zinxhirë është traumatike për një qenie njerëzore. Familjarët thonë se ajo është tepër agresive dhe jo vetëm ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetes. Kjo i bën ata që ta mbajnë të lidhur. I ati pranon se situata ekonomiko-financiare i ka detyruar të mos e trajtojnë në mënyrë të vazhdueshme me medikamente mjekësore, ndërsa kanë përfituar pension invaliditeti për të vetëm për një periudhë njëvjeçare dhe nga marsi i këtij viti i është ndërprerë. Publikimi i situatës së Armendës që njihet në fshat dhe nga mjekët e Kavajës nuk ka sjellë asnjë zhvillim për të. Vajza mbetet në të njëjtat kushte. Po ashtu dhe i izoluari tjetër në një fshat të po kësaj komune. Mbahen në kushte aspak të njerëzishme nga familjarët, për shkak të rrethanave të jetës dhe pamundësisë, por edhe paaftësisë për t‘i trajtuar ndryshe. Këtij realiteti i bashkohet dhe ai i një shoqërie e shteti që i lë në harresë të sëmurët mendorë dhe reagon thjesht për shfaqje, pasi infrastruktura, mundësitë që ka lënë për të dëshiruar.