Xhuveli rrëzon PS-në në Kolegj, ishte kërkuar dalja e tij nga gara
TIRANE - Kolegji Zgjedhor rrëzon Partinë Socialiste për anulimin e vendimit të KQZ-së në regjistrimin e Partisë Agrare Ambientaliste në votimet e 28 qershorit. Kjo e argumentuar nga kërkuesit me faktin se PAA nuk kishte plotësuar kushtin e përfaqësimit në lista me 30% të kandidatëve të seksit femër në qarqet Shkodër dhe Fier. Ankesa e PS-së në Kolegj u mbrojt nga avokatët Eno Bushi dhe Arjan Salati. Ndërsa krahas juristëve të KQZ-së, regjistrimin e PAA-së e mbrojti edhe vetë kreu i kësaj partie Lufter Xhuveli, i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas PS-së, nga listat e dorëzuara në KQZ prej PAA-së ishte konstatuar se në qarkun e Fierit nga 14 kandidatë për deputetë 4 ishin femra, ndërsa në Shkodër nga 11 kandidatë 3 ishin femra. Pasi e shqyrtoi këtë kërkesë, duke dëgjuar në seancë pretendimet e palëve Kolegji Zgjedhor pesëanëtarësh vendosi të rrëzonte kërkesën e socialistëve. Po kështu dje Kolegji shqyrtoi edhe një kërkesë tjetër të Partisë Socialiste dhe të Partisë Socialdemokrate, të cilët kërkonin që Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut të merrnin pjesë në shortin për anëtarin e tretë dhe të katërt të Grupit të Numërimit të Votave si pjesëmarrës të grupit të partive politike të shumicës parlamentare, krahas Partisë Republikane, asaj Agrare Ambientaliste dhe Aleancës Demokratike. Pasi e shqyrtoi këtë kërkesë të paraqitur prej PS-së dhe PSD-së, Kolegji vendosi që demokristianët t’i rreshtonte krahas partive të tjera të vogla, të djathta, ndërsa PBDNJ në kampin ku ndodhet PSD, LSI dhe PDS. fa.ma.