Zogaj: Ministrat të na përgjigjen në kohë
• Deputeti i PD-së, Preç Zogaj ka kërkuar dje që ministrat t’u përgjigjen në kohë problemeve të parashtruara nga deputetët.Duke folur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të demokratëve, pa praninë e mediave, Zogaj është shprehur se përfaqësuesit e ekzekutivit nuk duhet të vonojnë përgjigjet për deputetët të cilët përballen me elektoratin. “Ministrat duhet t’u përgjigjen shpejt problemeve që u shtrojnë deputetët, pasi ne përballemi me elektoratin dhe nëse nuk marrim përgjigje prej ministrave, nuk kemi se çfarë t’u themi qytetarëve kur dalim në bazë”, është shprehur Zogaj gjatë mbledhjes së djeshme. Shqetësimi i deputetit të Lezhës ka gjetur përkrahjen e Kryeministrit Berisha, i cili pasi ka kërkuar që ministrat t’u përgjigjen deputetëve, është shprehur se duhet të shqyrtohen të gjitha çështjet, pasi jo të gjitha mund të marrin zgjidhje. Në këtë mbledhje deputeti Rexhep Uka është shprehur se duke qenë se në degët e PD-së po zhvillohen zgjedhje, duhet që të përgatitet një material me të gjitha arritjet e qeverisë, për t’ia paraqitur ato bazës.