E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështetje dhe kritika për buxhetin

Ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës, janë mbledhur të hënën në një seancë të posaçme dhe po shqyrtojnë propozimin e qeverisë për buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Propozimi u mbështet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mori kritika nga partneri i saj në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe u kundërshtua nga partitë e opozitës. Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq kërkoi miratimin e këtij buxheti, duke e vlerësuar atë si buxhet të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së perspektivës për integrime euro-atlantike të vendit.

Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 1.661 milionë euro, apo 6% më i lartë se i vitit 2009, tha Thaçi, duke shtuar se qeveria planifikon rritje ekonomike prej 5 për qind në vitin 2010. Ai tha se buxheti është ndarë sipas prioriteteve që ka përcaktuar qeveria e vendit dhe është buxhet që garanton zbatimin e politikave zhvillimore.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ndërkaq tha se buxheti është programuar për të pasur rritje ekonomike, për ngritjen e kapaciteteve institucionale, qeverisje të mirë dhe për të garantuar mirëqenie sociale. Fushat përfituese do të jenë transporti, energjetika, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, siguria, drejtësia dhe bujqësia, tha Shala.

Në emër të Komisionit parlamentar për Ekonomi dhe Financa, projekt-buxhetin e mbështeti Gani Koci, i cili tha se anëtarët nga opozita në këtë komision nuk e kanë mbështetur këtë projekt-buxhet. Safete Hadërgjonaj nga Grupi Parlamentar i PDK-së e mbështeti miratimin në parim të këtij projektbuxheti, kurse partneri i PDK-së në koalicionin qeverisë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nëpërmjet deputetit Naser Osmani, i bëri vërejtje të shumta projekt-buxhetit.

Haki Shatri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se ky projekt-buxheti nuk mund të miratohet për shkak se ndarjet buxhetore nuk janë bërë si duhet si dhe për shkak se ka hendek mes planifikimit të shpenzimeve dhe mundësive reale që ka Kosova. Edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), nëpërmjet Lulzim Zenelit i bëri vërejtje të shumta projekt-buxhetit, i cili sipas tij, duhet të punohet më seriozisht.

Për debat rreth projekt-buxhetit janë lajmëruar rreth 50 deputetë, të cilët pritet të japin vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për projekt-buxhetin e hartuar nga qeveria. Votimi i këtij projekt-buxheti pritet me interesim edhe për shkak se perceptohet si sprovë e qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës PDK-LDK, e cila pësoi tronditje fundjavën e kaluar. (KosovaLive)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›