E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbesin pa ujë të pijshëm

Nga Express më 24 prill 2011 në ora 19:30

Shumë banorë të fshatrave të Lugut të Leshanit thonë se shtëpitë e tyre dita-ditës po bëhen të pabanueshme dhe ata do të detyrohen t’i braktisin ato, ngase kushtet e jetesës po vështirësohen çdo ditë e më shumë.

Shfrytëzimi i egër dhe pa asnjë kriter i zhavorrit përgjatë shtratit të Lumit të Bardhë nga kompanitë e panumërta të gurëthyesve dhe të
përpunimit të zhavorrit tashmë po lë edhe pa ujë banorët e kësaj ane, ngase si pasojë e gërmimeve të këtyre kompanive përgjatë shtratit të Lumit bunarët e tyre kanë shteruar pothuajse tërësisht.

Hajdar Krasniqi, banor i fshatit Leshan të Pejës, thotë se familja e tij dhe shumë familje tjera të këtij fshati kanë mbetur pa asnjë pikë ujë në bunarët e tyre.

“Kemi pasur mjaft probleme me ndotjen e ambientit nga pluhuri që po shkaktojnë këto kompani që po shtohen përditë. Tash nga gërmimet e tyre na u ka ndalë edhe uji nëpër puse. S”ka na mbetur gjë tjetër, pos t’i lëshojmë shtëpitë”, shprehet Krasniqi.

Për më tepër, ai thotë se janë ankuar shumë herë në komunë, por nuk kanë marrë premtime për të zgjidhur problemin.

“Komuna na kanë thënë se s’ka gjë në dorë për të na ndihmuar, pasi që licencat i ndan Qeveria. Ne nuk dimë çfarë të bëjmë, pos t’i braktisim shtëpitë sepse këtu nuk na ka mbetur gjë. As tokat nuk mund t’i punojmë”, ka thënë ai.

Kryetari i komunë së Pejës, Ali Berisha, pranon se kanë marrë shumë ankesa nga banorët e Lugut të Leshanit, por komuna nuk ka kompetenca për të ndaluar punën e gurthyesve përgjatë Lumit të Bardhë.

“Ne kemi bërë shumë kërkesa në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor që të mos lëshohen licenca për përdorim të zhavorrit për
përfitime personale, mirëpo ata prapë po vazhdojnë të lëshojnë licenca pa kritere”, ka thënë Berisha.

Ai zotohet se komuna do të vazhdojë të kërkojë nga Ministria e Planifikimit Hapësinor që të ndërmarrë masa kundër degradimit të mëtejshëm të lumenjve dhe ambientit, dhe se në kuadër të kompetencave do të mbështesë banorët e Lugut të Leshanit, në mënyrë që të kenë kushtet elementare për jetesë./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›