E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbeten në qeli 4 “killerat” e Bulqizës, arrest në burg edhe për të kërkuarit



BULQIZË – “Burg pa afat” për katër nga gjashtë autorët e përplasjes me armë në mes të qytezës së Bulqizës, ku mbeti i vdekur një kalimtar dhe u plagosën dy të tjerë. Të shtunën paradite, trupi gjykues caktoi masën e sigurisë për personat që u konfliktuan me armë, përfshirë edhe dy shtetasit e shpallur në kërkim; Ilirjan Jangulli dhe Destan Gjeta. Masa u është komunikuar edhe dy personave që u plagosën, të cilët ishin pjesë e përplasjes me armë. Ndërsa për dy protagonistët e tjerë të luftës, Adrian Durrici e Vladimir Cërroji, është lënë masa “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, policia e Dibrës ka shpallur në kërkim Jangullin dhe Gjetën, ku kërkimet janë shtrirë edhe në Maqedoni.

Masa
Gjykata e Peshkopisë zhvilloi paraditen e djeshme seancën ndaj protagonistëve të luftës në qytetin e Bulqizës, ngjarje kjo e ndodhur më 5 janar të këtij viti. Katër personat e arrestuar, Andrea e Ndriçim Durrici dhe Shpëtim Rreka e Leonard Ndreu, të cilët ndodhen të plagosur në spital, do të qëndrojnë në qeli. Dy të lënduarit që ndodhen në mjediset e spitalit po ruhen nën masa të rrepta sigurie nga forcat e policisë dhe atyre u është komunikuar të shtunën vendimi i dhënë nga trupi gjykues për të qëndruar në qeli. I njëjti vendim është i vlefshëm edhe për personat në kërkim Ilirjan Jangulli dhe Destan Gjeta. Ndërkaq, trupi gjykues ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Adrian Durricin e Vladimir Cërrojin, të cilët akuzohen për ngjarjen e 5 janarit në qendër të qytetit të Bulqizës.

Ngjarja
Më 5 janar të këtij viti ndodhi një luftë e vërtetë mes dy grupeve rivale që kontrollojnë prodhimin e kromit në minierat e Bulqizës. Familjet Durrici dhe Jangulli u përfshinë në konflikt të armatosur në mes të qytezës, ku për pasojë humbi jetën pafajësisht Fehmi Kurcami. Policia arrestoi menjëherë katër nga gjashtë personat që ishin pjesë e përplasjes. Në operacionet e policisë u përfshi edhe një helikopter. Me gjithë masat e marra, dy prej protagonistëve të konfliktit arritën që të largoheshin dhe dyshohet se ata janë fshehur në Maqedoni. Për gjetjen dhe prangosjen e tyre është kërkuar ndihma e autoriteteve policore të vendit fqinj.

Shpejtësia shkakton plagosjen e 4 të rinjve

KUKËS - Katër të rinj kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti në qytetin e Kukësit. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, në kryqëzimin e shëtitores, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar Blerim e Robert Lleshi, si dhe Asllan e Muhamet Cena. Të lënduarit ndodhen aktualisht në Spitalin rajonal të Kukësit, jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, bazuar në hetimet e deritanishme, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën udhëtonin të dy automjetet.

TË PLAGOSURIT
Blerim Lleshi
Robert Lleshi
Asllan Cena
Muhamet Cena

TIMS tradhton të shumëkërkuarin, ishte dënuar me 25 vjet burg

GJIROKASTËR – Një person i shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes u arrestua dje nga policia kufitare në Gjirokastër. Burime zyrtare të Policisë thanë se specialistët për hetimin e krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër kanë vënë në pranga shtetasin Shaqir Doda, lindur në Dibër dhe banues në Laç, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Ky person i dënuar me 25 vjet burg, tentoi të hynte nga Greqia në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit të kontrollit kufitar të Kakavijës. Në kufi i kërkuari ka paraqitur gjeneralitete të rreme. Sipas policisë, i arrestuari akuzohet dhe është dënuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 1993 në Laç, ku ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij për motive xhelozie. Gjykata e rrethit Kurbin, në vitin 1994 e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burg. Shaqir Doda, deri në muajin mars të vitit 1997, ka vuajtur dënimin në Burgun e Lezhës dhe pas trazirave të atij viti është larguar nga burgu dhe deri ditën e djeshme jetonte në Greqi.

Dhunoi mjekun në spital, ndalohet pas dy javësh

SHKODËR – Nuk ka arritur t’i shpëtojë ndalimit policor pas dhunimit të mjekut në spital. Policia e Shkodrës arrestoi shtetasin Menduh Llukaj, lindur e banues në lagjen “Naim Gjylbegu” në qytetin e Shkodrës. Sipas tyre, 45-vjeçari Llukaj është ndaluar pasi ka qenë i shpallur në kërkim policor që më datë 23 dhjetor për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës, e kryer në bashkëpunim”. Burimet policore sqarojnë se ai ka qenë i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur në të njëjtën ditë, ku në bashkëpunim me shtetasit D. Hoxha, F. Hoxha, kanë goditur në ambientet e Spitalit rajonal të Shkodrës një mjek kirurg. “Materialet në ngarkim të shtetasit Menduh Llukaj i kaluan për ndjekje të mëtejshme, në gjendje të lirë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut të Shkodrës, Fatbardha Çelepia.

Kërkime pa sukses në det, nuk gjendet 30-vjeçari i vetëmbytur

TIRANË - Rojet bregdetare italiane vijojnë prej 48 orësh kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Eduard Teodori, i cili u hodh dy ditë më parë nga trageti që udhëtonte drejt Italisë. Burimet zyrtare të rojës bregdetare në Bari thanë se për shkak të errësirës helikopterët e angazhuar kanë ndërprerë kërkimet për t’i rinisur nesër në mëngjes. Ndërkohë, kërkimet vazhdojnë nga tre motovedetat. Deri tani kërkimet nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, por forcat italiane thonë se do të vazhdojnë kërkimet dhe përpjekjet për gjetjen e 30-vjeçarit shqiptar. Mëngjesin e djeshëm u angazhuan në kërkime 2 helikopterë, një aeroplan dhe 3 motovedeta të Guardia di Financës, por ende nuk ka asnjë rezultat konkret. Mbeten ende të paqarta motivet që çuan Teodorin në hedhjen nga trageti, por të dhënat e deritanishme flasin për një debat mes të riut nga Sanxhaku i Laçit dhe një vajze rumune që e shoqëronte, me të cilën bashkëjetonte prej 5 vitesh në Itali.
Më pas kapiteneria i kishte bllokuar pasaportën 30-vjeçarit dhe kjo ka pasuar me të tjera debate mes tij dhe personelit të sigurisë në traget.

Prangoset italiani, pranoi vrasjen e bashkëshortes shqiptare

Ish-bashkëshorti i 36-vjeçares shqiptare Rajmonda Zefi, e cila ishte zhdukur pa gjurmë më 31 dhjetor 2010, është burgosur në Itali me akuzën e vrasjes dhe fshehjes së kufomës.
Francesco Quinci doli para gjykatës me këto akuza, pasi pranoi gjatë rrëfimit në polici se kishte vrarë gruan me të cilën jetonte prej tetë vitesh, me të cilën kishte lindur edhe dy fëmijë, 3 dhe 5 vjeç. Për mëse gjashtë ditë gruaja shqiptare u shpall e zhdukur pasi nuk u gjet asnjë gjurmë e saj, ndërkohë largimin nga banesa e denoncoi në polici vetë bashkëshorti, njëherësh vrasës i 36-vjeçares. Gjykata vendosi dje që shtetasi italian Francesco Quinci të mbahet në burg deri në përfundim të hetimeve.

10 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›