Plagosja te Blloku, arrest shtëpie për djalin e Arta Dades
TIRANË - Gjykata e Tiranës jep masën e sigurisë arrest shtëpie për djalin e deputetes së PS-së, Arta Dade. Trupi gjykues dha dje masën e sigurisë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ku Besnik Dabulla plagosi me pistoletë shokun e tij, Endrin Lufi, nipi i ish-kryeministrit komunist Adil Çarçani. Ngjarja ndodhi në dalje të lokalit, ku Dabulla është bashkëpronar, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndalimi i Dabullës u krye po atë natë, në dalje të spitalit, ku i riu kishte shkuar për të dorëzuar për mjekim Lufin, djalin e vajzës së ish-kryeministrit Adil Çarçani. Vetë Dabulla ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme të vlerësimit të masës së sigurisë. Mbi të rëndojnë akuzat “armëmbajtje pa leje" dhe "plagosje të rëndë me dashje". Prokurori i çështjes kërkoi masën e sigurisë me arrest 20 ditë burg, ndërsa avokati mbrojtës kërkoi një masë më të butë sigurie. Ai paraqiti para gjykatës një deklaratë të Endrin Lufit, ku shkruante se ngjarja e së mërkurës kishte ndodhur “pa dashje” dhe se “marrëdhëniet me Dabullën ishin të mira”. Pasi ka dëgjuar provat e të dyja palëve, gjykata është tërhequr për të dhënë vendimin e masës së sigurisë për djalin e deputetes Dade.
Sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti mes këtyre dy personave dhe një të treti, që ishte Shkëlzen Hoxha, nip i ish-diktatorit Enver Hoxha. Ky i fundit, më vonë, me anë të një alibie publike, hodhi poshtë praninë e tij në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi plagosja.
10 Janar 2011