E Diel, 1 Nëntor 2026

Grackë ndaj trafikantëve, bllokohen 330 kg drogë në Tiranë e Gjirokastër



TIRANË/GJIROKASTËR – Dështojnë tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike jashtë Shqipërisë në dy raste, në Gjirokastër dhe Tiranë. Policitë e dy rretheve kanë sekuestruar të paktën 330 kilogramë Cannabis sativa dhe kanë prangosur tre persona: Starvi Harakepin, Gazmir Avdulin dhe Astrit Kuçin, ndërsa janë shpallur në kërkim disa persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk jepen për shkaqe hetimore. Blutë e Gjirokastrës finalizuan operacionin e koduar “Pritja e gjatë”, ku pas 5 muajsh hetimi u bë e mundur që të sekuestroheshin 150 kilogramë marijuanë, e prodhuar në Lazarat dhe e destinuar për tregun grek. Ndërsa strukturat antidrogë të kryeqytetit bënë të mundur bllokimin e 180 kilogramëve Cannabis sativa, e cila ishte gati për t’u trafikuar në vendet fqinje.

“Pritje e gjatë”
Droga e prodhuar në Lazarat tani po del nga “shpellat” për t’u shitur me çmim të kripur në tregjet brenda dhe jashtë vendit. Një tentativë e tillë për të nxjerrë në territorin grek 150 kilogramë marijuanë ka dështuar, pasi policia e Gjirokastrës ka mbajtur në vëzhgim prej 5 muajsh dy trafikantët, Starvi Harakepi dhe Gazmir Avduli, të cilët sapo kanë tentuar që të kalojnë në vendin fqinj drogën janë vënë në pranga. Policia e qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur se mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, është vënë në ndjekje të automjetit tip “Mercedes Benz”, me traga italiane AZ 587 VW, në të cilin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në bagazh dhe në brendësi të tij, 5 çanta të mëdha shpine të mbushura me pako të mbështjella me natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Drejtuesi i mjetit arriti që të largohej pasi përfitoi nga errësira. Zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai, thotë se ngarkesa është siguruar në fshatin Lazarat dhe është transportuar e magazinuar në rrethin e Delvinës, me destinacion përfundimtar shtetin grek. Për këtë rast kishte informacione që në muajin shtator të vitit të kaluar, gjë që u ka dhënë kohë strukturave antidrogë që të marrin masa dhe të koordinojnë operacionin për bllokimin e drogës dhe prangosjen e trafikantëve. Harakepi dhe Avduli, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë pjesëtarë të grupit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, por që u është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e tyre kriminale, synuan që të trafikonin një sasi të madhe lënde narkotike në drejtim të Greqisë. Burimet policore sqarojnë se materialet në ngarkim të personave të përfshirë në trafik i kaluan prokurorisë.

Kufiri ndarës
Thuajse në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë u sekuestruan edhe në Tiranë 180 kilogramë lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa, si dhe është arrestuar shtetasi Astrit Kuçi. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Kufiri ndarës”, është bërë e mundur që të bllokohet trafikimi i drogës jashtë vendit. Sipas tyre, gjatë ndjekjes së 39-vjeçarit Kuçi, lindur në Tiranë e banues në Marikaj (i dënuar më parë, në Gjermani, për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike), u bë e mundur që të kontrollohej, ku iu gjetën 0.7 gram lëndë narkotike e llojit heroinë. Por, operacioni vijoi, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 180 kg lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa, e cila ishte e ndarë në pako të presuara 1 kilogramëshe.
“Kjo sasi e konsiderueshme lënde narkotike dyshohet se kishte destinacion më pas trafikimin dhe shpërndarjen në vendet fqinje me Shqipërinë dhe në momentin e sekuestrimit u gjend e ndarë në 13 kuti”, - tha dje drejtori i Policisë së qarkut Tiranë, Saimir Muça. Sipas tij, operacioni vazhdon pasi aktualisht po punohet intensivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet trafiku dhe shpërndarje të lëndës narkotike.
Gjatë dy muajve të fundit ka rritje të tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, jo vetëm të drogave të lehta, por edhe të kokainës dhe të heroinës. Nga operacionet e realizuara nga Policia shqiptare, në bashkëpunim edhe me homologët europianë (përfshirë edhe Europol-in) janë sekuestruar sasi jo të vogla të lëndëve narkotike. Tashmë duket se trafikantët po kërkojnë shtigje të reja në territorin shqiptar për t’i kaluar tranzit drogat drejt tregjeve europiane.

GJIROKASTËR
Operacioni i koduar “Pritja e gjatë”
Sekuestrohen 150 kg marijuanë
Të arrestuarit
Stavri Hakarepi, 39 vjeç, lindur në Delvinë dhe banues në Ksamil
Gazmir Avduli, 37 vjeç, lindur dhe banues në Konispol të Sarandës (i dënuar më parë për trafik droge)

TIRANË
Operacioni i koduar “Kufiri ndarës”
Sekuestrohen 180 kg Cannabis
I arrestuar: Astrit Kuçi, 39 vjeç, lindur në Tiranë e banues në Marikaj (i dënuar për trafik droge në Gjermani)

Arrestohet biznesmeni kosovar, prodhonte patatina false

TIRANË – Një biznesmen kosovar ka ngritur një linjë të konsoliduar për prodhimin e patatinave të falsifikuara pa marrë leje nga autoritetet shqiptare, por më në fund është zbuluar dhe prangosur nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se agjentët e sektorit kundër krimit financiar finalizuan operacionin e koduar me emrin “Sneck”, duke arrestuar shtetasin Bekim Aliu, 41 vjeç, lindur në Kosovë, banues përkohësisht në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, “prangosja i tij u krye sepse është kapur në flagrancë duke transportuar mallra ‘Patatina’, me mbishkrimin ‘SNECK’, pa lejen teknologjike të Ministrisë Bujqësisë, si dhe të paregjistruar në organet tatimore”. Ali ushtronte aktivitetin në Tiranë, konkretisht në një pallat 10–katësh në rrugën “Demir Progri” dhe në një punishte në Vorë. Në mbyllje të operacionit u sekuestruan: një makineri për prodhimin e patatinave, me vlerë 5 mijë euro, një makineri për mbushje pakosh me patatina, me vlerë 4 mijë euro, një makineri për stampim qesesh me patatina, me vlerë 7 mijë euro, 28 mijë copë qese me patatina, 10 rulo me qese plastike dhe 10 mijë lodra të vogla për fëmijë. E gjithë vlera e mallit të sekuestruar arrin mbi 30 mijë euro.
Burimet policore bëjnë të ditur se ndaj Bekim Aliut pritet të nisin hetimet për veprat penale të “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”, “falsifikimi i dokumenteve” dhe “prodhim i kundërligjshëm i artikujve industriale dhe ushqimore”.

Kontrabanda me Malin e Zi çon në pranga dy persona

SHKODËR – Kontrabanda e verës dhe cigares nga Mali i Zi drejt Shkodrës ka çuar në pranga dy persona. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se në dy aksione kanë përfunduar në pranga shtetasit: Sabri Fusha, 51 vjeç, lindur e banues në lagjen “Dobraç” të komunës Rrethina dhe bashkëfshatari i tij Dritan Kutrolli, 42 vjeç, lindur në Bilisht të Korçës. Dy personat e ndaluar pritet të përballen me veprën penale të “tregtimit të mallrave kontrabandë”. Fushës iu ndaluan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 36 shishe 1-litërshe dhe 144 shishe 0.75 litërshe me verë, me mbishkrimin “Vranac”, 225 shishe 1-litërshe me vaj ushqimor, 380 shishe birre 0.5 litërshe me mbishkrimin “Nikshiq”, si dhe 40 paketa cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale.
Ndërsa Kutrollit u gjetën dhe sekuestruan 38 paketa cigare të markës “Trokadero”, 12 paketa cigare të markës “Marlboro”, pa pullën fiskale, 14 koli me nga 15 shishe 1-litërshe me vaj ushqimor. Të gjitha mallrat e sekuestruara te të dy personat janë prodhime nga Mali i Zi dhe kanë hyrë kontrabandë në tregun vendas. Për të dy rastet e mësipërme prokuroria ka nisur hetimet.

10 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›