E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 2 milionë pasagjerë udhëtuan në korrik përmes aeroportit dhe porteve të vendit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Shqipëria turistike përjetoi një tjetër muaj rekord gjatë korrikut, teksa fluksi i vizitorëve dhe udhëtarëve u rrit ndjeshëm në kulmin e sezonit veror.

Mbi 2,05 milionë pasagjerë kaluan përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe porteve kryesore të vendit, duke reflektuar intensitetin e lëvizjeve turistike dhe kthimin e vendit në një nga destinacionet më të frekuentuara të rajonit.

Sipas të dhënave të publikuara nga MIA – Agjencia për Media dhe Informim, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” përpunoi mbi 1,8 milionë pasagjerë gjatë muajit korrik, duke mbajtur peshën kryesore të trafikut të udhëtarëve.

Ndërkohë, Porti i Durrësit regjistroi rreth 111 mijë pasagjerë, Porti i Sarandës 131 mijë dhe Porti i Vlorës rreth 17 mijë pasagjerë.

Shifrat dëshmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve gjatë sezonit veror dhe konfirmojnë intensitetin e aktivitetit turistik në vend.

Fluksi i përgjithshëm i udhëtarëve pritet të jetë edhe më i lartë, pasi këto të dhëna nuk përfshijnë hyrjet dhe daljet përmes pikave kufitare tokësore.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›