E Diel, 1 Nëntor 2026

UGSH reagon ndaj rregullores së GJKKO: Kufizime për mediet dhe gazetarët

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) reagoi sot ndaj rregullores së brendshme dhe komentarit të publikuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), duke i cilësuar ato si dokumente që vendosin kufizime dhe procedura penguese për praninë dhe raportimin e mediave në institucionin e drejtësisë.

Në një qëndrim të publikuar sot, UGSH shprehet se rregullorja “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e GJKKO-së”, së bashku me komentarin shoqërues prej 532 faqesh, përcaktojnë kritere, procedura dhe kufizime të reja për gazetarët dhe operatorët mediatikë.

Sipas UGSH-së, shqetësim të veçantë paraqesin procedurat e autorizimit paraprak, kufizimi i numrit të gazetarëve, rregullat për regjistrimet mediatike dhe akreditimi periodik.

Unioni vlerëson se kërkesa për autorizim paraprak e kthen aksesin e medias nga një e drejtë në një leje administrative dhe ngre pikëpyetje për mbulimin e seancave të papritura apo zhvillimeve të menjëhershme gjyqësore.

UGSH argumenton gjithashtu se mungesa e kritereve të qarta për përzgjedhjen e gazetarëve mund t’i japë administratës ose strukturave të sigurisë diskrecion për të lejuar apo refuzuar hyrjen e medieve.

Në qëndrimin e tij, Unioni i referohet nenit 22 të Kushtetutës për lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si dhe neneve 6 dhe 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me publicitetin e proceseve gjyqësore dhe lirinë e shprehjes e informimit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga UGSH lidhet me kufizimet për fotografimin dhe regjistrimin, të cilat, sipas Unionit, mund të krijojnë ndalime të gjera për dokumentimin e proceseve gjyqësore.

UGSH kritikon edhe mungesën e një mekanizmi të qartë ankimi në rastet kur një gazetari ose medieje i refuzohet aksesi, si dhe procedurën e akreditimit një herë në vit, duke argumentuar se ajo mund të krijojë pengesa për reporterët që ndryshojnë vendin e punës apo zëvendësojnë kolegët.

“Media është rojtare publike e demokracisë”, thekson UGSH, duke vlerësuar se rregullorja dhe komentari krijojnë orientime që mund të kufizojnë ndjeshëm aksesin e medias në GJKKO.

Në përfundim, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i kërkon GJKKO-së rishqyrtimin e dokumenteve, veçanërisht të kapitujve që lidhen me marrëdhëniet me mediet, si dhe një ndërhyrje të menjëhershme redaktuese.

UGSH u është drejtuar gjithashtu Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ambasadës së SHBA-së, Përfaqësisë së OSBE-së dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore, duke kërkuar vëmendje ndaj rregullave të reja dhe ndikimit të tyre të mundshëm mbi lirinë e medias.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›