Mbetet e tensionuar situata në veri të Kosovës

Mbetet e tensionuar situata në veri të Kosovës, pas nisjes së operacionit të KFOR-it për marrjen nën kontroll të dy pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak.
Mediat kosovare raportojnë se shqiptarët në Lagjen e Vitakëve në veri kanë qenë nën tension dhe duke bërë roje, për shkaqe sigurie nga situata e krijuar në veriun e Kosovës. Edhe në Lagjen e Boshnjakëve ka pasur grumbullime të shqiptarëve gjatë natës, ndërkohë që përtej në anën serbe ka pasur vetëm disa lëvizje të herëpashershme të njerëzve.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar dje se 16 shtatori do të jetë një ditë e zakonshme për të gjithë, përfshirë edhe serbët. Sipas tij, askush nuk duhet të shqetësohet sepse thjesht qeveria po e bën punën e saj në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.
Ai ka thënë se çdo kush që kundërshton planin, është kundër SHBA-së, BE-së dhe fuqive të mëdha. Sipas tij, ky plan do të zgjasë vetëm 6 muaj ndërsa më pas parashikohen hapa të tjerë.
Ndërkohë mësohet se serbët në Leposaviç kanë bllokuar dje në mesnatë një njësi të KFOR-it që po kthehej në bazën e Notting Hill në Mitrovicë. Karvani i automjeteve të KFOR-it polak, raportohet se ka hasur në një pengesë në rrugë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se në rast të dhunës nga serbët lokalë në veri, do të ketë reagim proporcional.Ai ka thënë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme dhe në mbështetje të forcave ndërkombëtare që ta mbrojë integritetin territorial të saj.
Ndërkohë KFOR-i ka vendosur njoftime në afërsi të dy pikafe kufitare, 1 dhe 31 ku bëjnë me dije se do të qëllohet secili që provon të afrohet në afërsi pa leje të posaçme.
Ndërkohë mësohet se mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila u zhvillua mbrëmjen e djeshme është shoqëruar me përplasje të forta mes Rusisë dhe Francës për Kosovën.