E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama merr 2000 letra-ankesa në muaj

01/06/2009  Pronat dhe ligjin nr 7501, kampion në natyrën e ankesave, më tej shkelje në hetime

Të afërm të të arrestuarve për krime të ndryshme ankohen për taktikat e hetimit

TIRANE- Brenda një muaji Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, i vijnë nëpërmjet postës, rreth 2000 letra nga qytetarë të ndryshëm të vendit. Në këto letra shfaqen pakënaqësitë si dhe problemet e njerëzve, të cilët me anën e tyre kërkojnë ndihmesë nga numri një i akuzës shqiptare për zgjidhjen e çështjes së pronësisë apo ndonjë ngjarjeje tjetër, që qytetarëve u ka rënë në pjesë. Duket se aktualisht problemi më i madh për qytetarët shqiptarë është problemi i tokave, pasi si ai person që e ka marrë tokën nga ligji 7501, ashtu edhe ai tjetri që e ka pasur që në kohët e vjetra, ata vazhdojnë të kenë probleme me shtetin, fqinjin e tyre, ish-pronarin e të tjera. Pikërisht për këtë problem kaq të thellë për çdo muaj në zyrën e Kryeprokurores Ina Rama dërgohen afërsisht rreth 600 letra, në të cilat pasqyrohen të gjitha shkeljet ligjore dhe parregullsitë që bëhen për të tjetërsuar tokën me dokumente false nga individë të caktuar, që në disa raste janë të veshur edhe me petkun e pushtetit. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ky është numri më i madh i ankesave, i cili tregon se tashmë, por edhe në kohët në vazhdim vëmendja kryesore e akuzës do të jetë në hetimin e imtësishëm të kësaj vepre penale. Mësohet se për t’i bërë ballë këtij fenomeni Kryeprokurorja Ina Rama me ndihmën e të huajve, ka firmosur ngritjen e 6 zyrave antikorrupsion në 6 qytetet më të mëdha të vendit. Përveç këtij problemi rreth 300 letra të tjera mbërrijnë në organin e akuzës, ku si problem kryesor ato pasqyrojnë çështje me natyrë si vrasje, plagosje, trafik droge. Burimet tregojnë se problemi që ngrihet në këto letra nga qytetarët është se prokurori të ndryshme të vendit kanë regjistruar procedime penale ndaj të afërmve të tyre apo pjesëtarëve të familjeve. Qytetarët e këtij grupi letrash pothuajse 95 për qind janë të pakënaqur nga organi i akuzës, pasi sipas tyre vetë prokurorët i kanë arrestuar dhe dënuar të afërmit e tyre për një vepër penale që ata nuk e kanë kryer. Ndërkaq letra të shumta në drejtim të Kryeprokurores Ina Rama shkojnë edhe për problemin e korrupsionit, me problemin e dhënies drejtësi, kërkesa për fillimin e hetimeve apo për rishikimin e një dosjeje penale e të tjera.

600 për pronat

Problemet me tokën vazhdojnë të qëndrojnë ende të pazgjidhura. Dhe në këtë mënyrë për çdo muaj gati 600 ankesa i dërgohen Prokurorisë së Përgjithshme, ku i kërkohet fillimi i hetimeve dhe arrestimi i personave që mund të kenë gisht në falsifikimin e dokumenteve.

300 për vrasje dhe drogë

Edhe pse të afërmit e tyre hetohen nga organi i akuzës për kryerjen e veprave të rënda, qytetarët vazhdojnë të dërgojnë në tavolinën e Ina Ramës ankesat dhe pretendimet e tyre. Për këtë gjë në 300 letra kërkohet që akuza të lirojë të afërmit e qytetarëve.

382 për korrupsionin

Korrupsionit vazhdon të mbetet një plagë e rëndë në zhvillimin e vendit. Për veprimet korruptive në Prokurori depozitohen në një muaj rreth 382 ankesa. Me anën e tyre i kërkohet organit të akuzës që të fillojë hetimet dhe të vërë para drejtësisë personat që abuzojnë me detyrën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›