Buxhuku: Amnistia të kryhet sa më parë
Konfindustria, nisur nga zhvillimet e fundit në vendet konkurrente tregtare fqinje të Shqipërisë, si dhe nga kërkesa e domosdoshme e ekonomisë shqiptare për financime, sugjeroi dje që qeveria shqiptare të nxitojë me idenë e amnistisë së përgjithshme fiskale për shkak se një masë e tillë po bëhet nga Greqia këto ditë, dhe sipas saj, mund të sjellë transferim kapitalesh nga Shqipëria për në Greqi.
“Shqetësimi i mësipërm vjen nga vendimi i qeverisë dhe Parlamentit të Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi në Greqi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta”, deklaroi dje Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë.
“është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20 vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë përfshi edhe vendet e BE, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë dhe aq më shumë në kushtet kur vendet konkurrente tona si Greqia dhe Italia i kryejnë në mënyrë të vazhdueshme”, – tha Buxhuku.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në shkurt se është në parim dakord me një amnisti fiskale që konsiston në legalizimin e fondeve të krijuara jashtë sistemit bankar përkundrejt një pagese tatimi prej 10 përqindësh mbi fondet e fshehura gjatë viteve të fundit. Disa lobingje biznesi kryesisht të huaj, dolën jopublikisht kundër idesë së amnistisë, duke argumentuar se në këtë mënyrë, në vend do të krijohet një precedent që do të shtyjë më shumë njerëz të veprojnë jashtë taksave me bindjen se një ditë, qeveria do të detyrohet të amnistojë sërish. Diçka e tillë ka ndodhur disa herë me amnistinë për mospagesën e faturave të energjisë elektrike, e cila është përsëritur disa herë në dy dekadat e fundit, por nuk është shoqëruar me rritje të arkëtimeve. Ndërkohë shoqatat e biznesit vendës, veçanërisht Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Konfindustria, po e mbështesin me entuziazëm idenë e amnistisë.
“Vonesat kohore të kryerjes së amnistisë fiskale në Shqipëri kanë ndikim të drejtpërdrejtë në: shtimin e dukurisë thellësisht shqetësuese të largimit të parave shqiptare në sasi jashtëzakonisht të mëdha jashtë vendit, ngadalësimin e nismave investuese nga biznesi dhe qytetarët në ekonomi, si dhe në shtimin e prirjes e tërheqjes/mbajtjes së kursimeve të emigracionit të shumtë shqiptar nga bankat e huaja pa i kthyer në atdhe”, – deklaroi Konfindustria.
#