E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po edhe pikë

Qeveria e Kosovës duket se është më e vendosur se kurrë t’i kthejë paratë e privatizimit dhe pensioneve në Kosovë. Korrespodenca e letrave mes ministrit të Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Ahmet Shalës, dhe kreut të ICO-së, Piter Feith, ka nxjerrë në pah interesin e të dyja palëve për këto mjete.

Në një intervistë për Express, Shala shpjegon se ky letërkëmbim ka ndikuar në ngritjen e bashkëpunimit dhe rifreskimit të përgjegjësive mes institucioneve të Kosovës dhe ICO-së. Ai zotohet se deri në fund të vitit do t’i kenë gati mekanizmat e nevojshëm financiarë për futjen e këtyre mjeteve në zhvillim të ekonomisë së Kosovës. Por, kërkon nga Feith të mos e zvarrisë procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, pasi që deri më tani është vonuar në emërimin e udhëheqësve të komitetit të likuidimit.

“Procesi i likuidimit në njëfarë mënyre s’ka lëvizë fare dhe kjo është diçka që s’mund të justifikojë askush. Ne nuk po kërkojmë fajtorin, por po kërkojmë zgjidhjen e kësaj çështjeje”, thekson Shala.

Numri një i financave thotë se është vërejtur një vullnet në stafin e ICO-së dhe vetë Piter Feithin që paratë e privatizimit sa më shpejt që të jetë e mundur të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Të jenë në disponim dhe në harmoni me procedurat e investimeve konform pakos së Ahtisarit.

“As Qeveria e Kosovës nuk kërkon të devijojë nga marrëveshja e pakos së Ahtisarit. Por, në frymën e pakos së Ahtisarit duam përshpejtim dhe jo neglizhim” thotë Shala.

Ai pohon se për zvarritjen një pjesë të fajit e ka ICO-ja, me vonesat në emërime të zyrtarëve ndërkombëtarë në komitetet e likuidimit. Gjithashtu tregon se ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sidomos në aspektin juridik.

Çështja e përfitimit më shumë nga paratë e privatizimit, Shala thotë se është një problem që mund të zgjidhet mes AKP-së dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ata (ICO) e kanë thënë në letër shumë mirë, aty është çështje mes BQK-së dhe AKP-së. Në llogari rrjedhëse nuk fiton asgjë”, thekson Shala.

Sipas tij, në pjesën e dytë të vitit, BQK-ja në bashkëpunim me MEF-in do të jenë të përgatitura për instrumentet e pagesave nëse niveli i rejtingut të Kosovës do të kategorizohet në nivel konform atij kualifikimi që mundëson siguri për kthimin e këtyre mjeteve. Kështu, një pjesë e këtyre mjeteve do të mund të investohen në këta instrumente, përfshirë edhe një pjesë të fondit të pensioneve.

MEF-i tashmë ka filluar përgatitjet që ky proces të përfundojë sa më shpejt.
“Më 28 qershor përfundon procesi i tenderimit të institucioneve ndërkombëtare që do të bëjnë rejtingun e Kosovës dhe për muajin shtator ose tetor si shtet do të kem një vlerësim ndërkombëtar nga “Standards and poor”, “Moodies” apo “Fiq”, sa i përket vlerësimit të rrezikut apo rejtingut të kreditit”, pohon Shala.

Pas këtij vlerësimi do të dihet saktë se në çfarë shkalle të sigurisë së investimeve është Kosova.

“Nëse Kosova vlerësohet në atë nivel të pranueshëm, bordi i AKP-së në bashkëpunim me BQK-në mund të investojnë këto fonde në bono thesari”.

Kreu i MEF-it thotë se tashmë janë përgatitur pjesa më e madhe e kushteve që mundësojnë futjen e fondit të AKP-së dhe Trustit në ekonominë e Kosovës.

Si kusht fillestar për përgatitjen e BQK-së që të lëshojë bono të thesarit tregon se ka qenë ligji për huat publike, i cili ka përfunduar dhe tani janë duke pritur vlerësimin e rejtigut dhe harmonizimin e legjislacionit dytësor me standardet ndërkombëtare që BQK-ja si institucion i vetëm t’i emetojë ato.

Dieta e FMN-së

Megjithatë, vendimet e pamenduara mirë për fatin e këtyre mjeteve, për të plotësuar nevojat buxhetore të Qeverisë së Kosovës, mund të ndëshkohen edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ministri Shala thotë se e ka parasysh zotimin që Qeveria e Kosovës i ka dhënë FMN-së me programin 110 milionë eurosh të nënshkruar për 18 muajt e ardhshëm.
“Në tre vitet e ardhshme ne e kemi shumë të qartë qëndrueshmërinë ekonomike”, thotë Shala.

Ai shpjegon se ky program i ka siguruar Kosovës një raport më të mirë me Fondin, Komisionin Evropian dhe donatorët. Por, pranon se do të kenë edhe kufizime dhe disiplinë financiare.

“Kjo kërkon disiplinë dhe respektim të marrëveshjes. Është një program fituesi në mënyrë që të jemi më të zot në zhvillimin ekonomik”, pohon Shala.

Sipas numrit një të financave të Kosovës, nuk do të ketë rekomandim për shkurtim të administratës publike, por nuk do të ketë rritje masive të administratës.

Masat tjera që Qeveria e Kosovës ka pranuar t’i marrë si shtesë për t’i financuar projektet sociale dhe investimet kapitale, përfshijnë ngritja e akcizës për importin e makinave, akcizës për duhan dhe akcizës për butan gaz.

Në aspektin legjislativ deri në fund të vitit, FMN-ja kërkon nga institucionet e Kosovës t’i miratojnë gjashtë ligje që kanë të bëjnë me financat publike.

Në këtë pako përfshihen Ligji mbi Bankën Qendrore, amandamentimi i Ligjit për financat publike, amandamentimi i Ligjit të akcizave, amandamentimi i Ligjit të administratës dhe procedurave tatimore, aprovimi i Ligjit të buxhetit dhe ri-harmonizimi i kornizës afatmesme të shpenzimeve.

Të gjitha këto masa do t’i sigurojnë Qeverisë së Kosovës të hyra vjetore mbi 50 milionë euro për t’i financuar ligjet sociale dhe projektet kapitale.

“Tjetër masë e FMN-së është që deficiti të mos e tejkalojë 3.5 për qind dhe një kontroll çdo tre muaj për tetëmbëdhjetë muajt e ardhshëm do të vije nga Fondi për të parë nëse po i përmbahemi këtij programi”, thekson Shala.

Në këtë mënyrë për tri vitet e ardhshme do të mund t’i përfitojë 316 milionë euro investim direkt në buxhet nga donacionet e premtuara dhe programi i FMN-së.
Në kuadër të programit me Fondin janë të detajizuara edhe destinimi i parave nga shitja e ndërmarrjeve publike.

S’u beson vlerësimeve

Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta përmbyllë privatizimin e PTK-së brenda këtij viti dhe paratë mund të derdhen në buxhet vitin e ardhshëm.

Tashmë ka angazhuar dy kompani që po e bëjnë vlerësimin se sa do të kushtoj kjo ndërmarrje. Por, ministri i financave të Kosovës, nuk ka shumë shpresë se këta ekspertë do ta gjejnë saktë se sa do të kushtoj PTK-ja.

“Nuk besoj se ndonjë ekonomist i zoti, nëse ka ndjenjë profesionalizmi, që mund të marr guximin profesional të mund të thotë se kaq do të shitet PTK-ja”, pohon Shala.

Çka mund të bëjnë tani, ai thotë se mund të bëjnë një planifikim të përafërt.

Çështja e vlerësimeve është në bazë të metodologjive shkencore deri më tani të njohura në botë, por sipas Shalës reagimet e tregut janë shpesh herë të pa parashikueshme, sikur që po ndodhë.

“Ne kemi angazhuar edhe një vlerësues shtesë për të marrë opinion e dytë. Por në fund tregu është ai që e përcakton vlerën e PTK-së. Ekonomia është shumë më komplekse se sa shëndeti i njeriut. Me parashiku është shumë e vështirë”, thekson Shala.

Ai thotë se qeveria e Kosovës e mban të drejtën për ta shitur ose mos ta shitur gjithmonë nëse konsideron se vlera e sajë nuk është konform vlerave të pritura.

“Privatizimi i PTK-së nuk është heqje qafe, por konsiderojmë se për shkak të dinamikave në treg është duke humbur shkallën e profitit sipas gjitha analizave dhe konkurrenca në treg është shumë e fuqishme ...”.

Tani për tani orientimi i qeverisë thotë se është të mbajë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve me qëllim që ti shes në një të ardhme kur do që vlerësohet se shteti i Kosovës ka nevojë për ti shituar ato.

Ndërkaq, me të gjitha këto para që do të grumbullohen nga shitja e ndërmarrjeve publike dhe paratë e donacioneve, kreu i MEF-it thotë se janë siguruar mjete për ndërtimin e autostradës.

“Në do të përpiqemi të mos hymë në kredi, por pa e ngarkuar shumë qytetarin e Kosovës me taksa. Pa i ndal dhe pa i dëmtu investimet në sektorët tjerë social”, thotë ai.

Në bashkëpunim me FMN-në janë përcaktuar edhe të hyrat e mundshme nga privatizimet eventuale që mund të ndodhin me distribucion, furnizimin, Kosovën e re. Gjithashtu edhe partneritete publiko private që mund të ndodhin. Një ndër ta do të jetë edhe hidrocentrali i Zhurit. Të gjitha element sigurojnë që Kosova për tri vitet e ardhshme do të ketë një rritje ekonomike të qëndrueshme në mesatare deri 6 për qind.

Megjithatë, është shumë larg rekomandimeve të Bankës Botërore. Por, Shala thotë se kaq janë mundësitë e Kosovës pavarësisht se dëshira do të ishte për rritje deri 20 për qind.

Kërkesat e FMN-së

- Ligji mbi Bankën Qendrore,
- Amandamentimi i Ligjit për financat publike,
- Amandamentimi i Ligjit të akcizave,
- Amandamentimi i Ligjit të administratës dhe procedurave tatimore,
- Aprovimi i Ligjit të buxhetit dhe
- Ri-harmonizimi i kornizës afatmesme të shpenzimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›