Mbetjet urbane, mjedisi gjobit Bashkinë e Vlorës
Bashkia e Vlorës gjobitet me 1 milion lekë të reja. Shkaku janë bërë administrimi i mbetjeve urbane.
Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Geron Gumbardhi, në një prononcim zyrtar sqaroi se gjatë një inspektimi që kanë bërë në këtë zonë është parë se mbeturinat digjeshin dhe fusha nuk ishte e rrethuar.
Pika këto që bien ndesh me bazën ligjore të funksionimit të këtyre pikave. Duke vlerësuar se ndotja krijohej pranë një zone të banuar informale, agjencia ka prerë fletën e gjobës për bashkinë. Ndërkohë, me marrjen e shkresës në fjalë ka reaguar menjëherë Bashkia e Vlorës. Nënkryetari i saj, Edmond Leka, tha se djegia e mbeturinave vijon prej vitesh dhe ne shumë herë i jemi drejtuar institucionit të qarkut, por edhe qeverisë. është kërkuar kryerja e një investimi pranë fshatit Sherishtë, vetëm projekti i të cilit bën rreth 200 mijë euro, për të cilën qeveria fillimisht premtoi dhe pastaj u tërhoq.
“Nëse nuk ndërhyhet me projekte të tilla, nuk ka zgjidhje konkrete”, tha Leka. Sipas tij, shumë herë kjo çështje është bërë shqetësuese në qark, nga Bashkia Vlorë.
Leka tha se djegiet nuk bëhen nga Bashkia Vlorë, por nga persona që gjenden aty për të grumbulluar kryesisht mbeturina metalike e mbetje të riciklueshme.
Sipas nënkryetarit të bashkisë, gjobëvënia dukej tendencioze, ndërsa do të kontestohej në Gjykatën e Vlorës.