E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeturinat e rrezikshme do të deponohen afër Goleshit

Kosova, së shpejti, do të ketë deponinë për mbeturina të rrezikshme, me çka do të mënjanohet ndikimi i mbeturinave të rrezikshme në mjedis dhe shëndetin e popullatës, duke i vendosur ato në depo adekuate dhe të menaxhuar në mënyrë strikte.

Kështu u njoftua sot gjatë diskutimit publik të Draft-raportit për vlerësimin e ndikimit në mjedis për deponinë e mbeturinave të rrezikshme, që u mbajt në lokalet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Projekti ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë popullatën e vendit, ka thënë drejtori i Departamentit të Mjedisit, Muhamet Malsiu.

Përfaqësuesi i Kompanisë H&B Consalting, Jozef Raca, prezantoi draft-raportin për të cilin tha se është hartuar duke kaluar nëpër tri faza të rëndësishme dhe duke i marrë për bazë të gjitha kriteret në mënyrë që deponia të mos ketë asnjë ndikim negativ për mjedisin dhe shëndetin e popullatës.

“Pas analizave, është propozuar që deponia të vendoset në afërsi të Goleshit, meqë është konstatuar se ajo sipërfaqe është shumë e përshtatshme dhe larg çdo ndikimi negativ në mjedis dhe shëndetin e popullatës”, ka thënë Raca.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›