E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen për shmangie nga tatimi dhe falsifikim dokumentesh

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia rajonale në Prishtinë pas një hetimi intensiv ka arrestuar tre persona, nën dyshimin për shmangie nga tatimi, mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës gjatë një konference për media të mërkurën kanë bërë të ditur se me këtë rast janë arrestuar B. H. i lindur më 1962 nga Gjilani, B. A. 1962 nga Prishtina dhe N. S. 1976, po ashtu nga Prishtina.

Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se në bazë të një raporti të Administratës Tatimore të Kosovës shmangia e tatimit llogaritet të jetë rreth 105 mijë euro.

“Bazuar në raportin e kontrollit nga Administrata Tatimore e Kosovës shmangia e tatimit llogaritet të jetë rreth 105 mijë euro. Të arrestuar janë B. H. i lindur më 1962 nga Gjilani, B. A. 1962 nga Prishtina dhe N. S. 1976 nga Prishtina”, ka thënë ai.

Ai ka pohuar se personat e arrestuar në bashkëveprim kanë hapur pesë kompani me dokumente të falsifikuara, përmes së cilave kanë kryer veprën penale, shmangie nga tatimi.

“Personat arrestuar në bashkëveprim kanë hapur pesë kompani me dokument fiktive, me emra fiktive dhe me dokumente të falsifikuara. Përmes këtyre firmave kanë bërë import nga jashtë dhe gjithashtu kanë kryer veprën penale të shmangies së tatimit si, shmangie e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe shmangie e tatimit në të ardhurat personale”, ka thënë Sadriu.

Kompanitë e hapura nga të arrestuarit janë: “NBP Agroekonomia”, “NT Piramida”, “NNP Enigma Ing”, “NP Color Sistem” dhe “NTSH Trais Co”. Këto kompani janë të mbyllura.

Me urdhër të prokurorisë komunale të Prishtinës, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›