Strategjia e politizuar kundër korrupsionit

Strategjia dhe Plani i Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2013-2017, sipas përfaqësuesve të Agjencisë Kundër Korrupsionit, jo që është e vonuar për miratim, por ajo është politizuar tej mase dhe pa arsye.
Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, tha për Radion Evropa e Lirë se strategjia kombëtare kundër korrupsionit, nuk është një dokument i cili cakton detyrat dhe obligimet vetëm për agjencinë, por për të gjitha institucionet e vendit.
Sipas tij, ai dokument duhet të miratohet sa më parë nga Kuvendi.
“Është debatuar javën e kaluar në Kuvend, pa asnjë vërejtje në dokument, dokumenti nuk është trajtuar as nuk është lexuar si duhet, por debati shkoi në bazë të asaj se në Kosovë ka korrupsion. Të gjithë ne pajtohemi se në Kosovë ka korrupsion, se duhet angazhim i shtuar. Mirëpo, nevojitet që të kemi një dokument bazik. Mendoj se në mënyrë të pajustifikueshme po prolongohet po politizohet kjo çështje dhe duhet që dokumenti të aprovohet, ose të propozohen ndryshime konkrete në dokument”, tha Preteni.
Për strategjinë Kundër Korrupsionit 2013-2017, është diskutuar nga ligjvënësit kosovarë javën e kaluar, ndërkohe që kjo çështje pritet të diskutohet edhe gjatë kësaj jave.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi deri sa ka folur për dokumentin, ka deklaruar se “qeveria është e zhytur në korrupsion dhe se dukuria e korrupsionit është prezente në të gjitha institucionet e vendit”.
Deputetët e Kuvendit nga radhët e partive opozitare, patën deklaruar se për të luftuar korrupsionin ka ligje dhe dokumente të mjaftueshme, por nuk ka veprime konkrete nga autoritetet kompetente në këtë drejtim.
Preteni deklaroi se strategjia nuk është hartuar vetëm sa për të thënë, siç pretendon dikush, por, siç tha ai, kjo strategji ka afate dhe detyra konkrete për shumë institucione, duke përfshirë edhe gjyqësorin, në luftën kundër korrupsionit.
Për më shumë Preteni, tha se kohëve të fundit ka shumë informata, shumë aktakuza, por gjykime për korrupsion nuk ka.
“Kur jemi te ligjet, shumë nga to duhet të amandamentohen, disa të bëhen ligje të reja. Po gjithsesi na duhet edhe strategjia e një dokument i cili na përcakton se cilat aktivitete në cilën kohë duhet të bëhen. Te luftimi ende po çalojmë, është një lëvizje e vogël, por prapë them fatkeqësisht sinjale më pozitive po dërgojnë mekanizmat ndërkombëtarë, këtë rast prokuroria e EULEX-it”, theksoi Preteni./Indeksonline/