Mbi 1 mijë lypës pushtojnë rrugët e Tiranës, shteti indiferent ndaj tyre
Janë mbi 1 mijë fëmijë lypsa që për çdo ditë vrapojnë e luten, e të ngjiten nga pas në çdo udhëkryq të metropolit. Pikërisht në kryeqytet aty ku në mbrëmje vitrinat e dyqaneve sidomos në zonën e nxehtë të bllokut ndrijnë nga llambat shumëngjyrëshe
paraditeve kudo në Tiranë syri të zë vetëm një fotografi rrëqethëse bardh e zi, ku zakonisht mijëra fëmijë të detyruar nga prindërit e tyre apo tutorë të tjerë të qëndrojnë për orë të tëra në diell e në shi për të fituar dy qindarka të cilat deri në fund të ditës kthehen në fitime të majme për të rriturit. Edh pse ky fenomen po shtohet dita ditës asnjë ligj parandalues për këtë nuk është hartuar apo vënë në ndihmë të mijëra lypësve të vegjël të cilët zakonisht janë fëmijë nga 2-12 vjeç. Të leckosur, të uritur, me sytë e plogësht tek përpiqen të rrëmbejnë ndonjë monedhë, nuk quhen ndryshe veçse lypës. Asnjë fjalë në botë nuk e zëvendëson, tek i sheh kudo në rrugët e kryeqytetit të ulur apo jo në cepat e trotuareve të zbathur apo më ndonjë palë shapka të grisura të bëra hi, me duart e zgjatura tek mbajnë në to ndonjë monedhë. Kjo panoramë të sjell para sysh legjendën e gjallë të fundvjeçarit. Nëpër mend të vijnë vargje migjeniane e kur rrekesh tu afrohesh e sheh se në trupin e tyre është ngjitur vetëm një këmishë e purpurt, që më shumë sesa e tillë duket si lëkura e tyre, e nxirë nga dielli apo e mavijosur nga i ftohti kjo nuk ka rëndësi. Të vegjlit e prapë që i takojmë kudo në rrugët e Tiranës ata që me fjalët e tyre që shpesh herë të therin në shpirt e ndonjëherë nuk i kursejnë as situatat që të krijojnë ankth të lusin e të ngjiten pas, të tërheqin deri sa detyrohesh ti largohesh duke vrapuar e të çlirohesh duke mërmëritur se uf sa janë shtuar kohët e funditjanë qeniet më pak të rëndësishme. Të gjithë ata që nëse të duhet ti numërosh mund të shkosh në shifra marramendëse që arrijnë në qindra e mijëra, janë kudo në trotuaret e grinjta në afërsi të rrokaqiejve, tek ju ngjiten pas edhe zyrtarëve të cilët në të shumtën e rasteve i zbythin me ndonjë shqelm të truprojave të tyre. Por ku ta dinë të vegjlit që pikërisht burrat e gratë e veshur me kostume që shndrijnë e që i ngjisin pa më të voglën kokëçarje shkallët e karrierës së tyre janë të vetmit persona që mund ti vijnë në ndihmë. Kryetari i Shoqatës së Mbrojtjes së Fëmijëve Altin Azizaj në një prononcim për gazetën SOT rrëfen se shfrytëzimi i fëmijëve për lypësi është një nga shkeljet më të rënda për të drejtave të fëmijëve. Sipas tij shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë lëvizje ose projekt të veçantë për mbrojtjen e kësaj kategorie e cila sot është më e braktisur se kurrë ndonjëherë, për më tepër që nuk ka asnjë ligj i cili mund të parandalojë fenomenin apo të dënojë personat që shfrytëzojnë të vegjlit. Gjithashtu instancat shtetërore nuk kanë bërë një punë të mjaftueshme për ti mbrojtur këta fëmijë nga shfrytëzimi. Ndër të tjera Azizaj thekson se rritja e numrit të fëmijëve të rrugës në të gjitha qytetet e Shqipërisë të cilët lypin në mënyrë të detyruar e dëshmon hapur faktin që instancat shtetërore nuk kanë bërë asnjë lëvizje për ruajtjen e këtyre fëmijëve nga ky fenomen negative. Sipas Azizaj dhe politikanët të cilët duhet të jenë personat e vetëm që duhet të kujdesen për këtë kategori nuk kanë bërë asgjë për mbrojtjen e tyre dhe për trajtimin veçantë që duhet të ketë kjo kategori.
OJF, gati prej një viti projektligjin që ndalon fenomenin e lypjes
Sipas Azizaj, shoqata që ai drejton ka objektiva serioze për këtë kategori e cila tani për tani nuk mbrohet nga askush. Ndër të tjera Azizaj thekson faktin se sipas tij ka ardhur koha që qeveria të zbatojë një program serioz kombëtar për eliminimin e këtij fenomeni. Organizata e quajtur CRCA që prej vitit 2009 ka përgatitur projektligjin Për parandalimin e dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve i cili shumë shpejt do të dërgohet për miratim në Kuvend. Ky projektligj shpreh një sërë ndihmesash social në shtëpitë apo qendrat ku të gjithë lypsët do të trajtohen me ndihmë të përditshme apo edh në rastin që nuk kanë familje mund të qëndrojnë për të jetuar në strehëzat sociale. Por në lidhje me këtë projektligj i cili ende nuk është dërguar nga CRCA në kuvend duhen edhe fondet përkatëse të cilat do të vihen në dispozicion të ndihmës për kategorinë e cila duket krejtësisht harruar nga instancat shtetërore, Ministria e Punës apo edhe Bashkia e Tiranës. Edhe pse në ndihmesë të kësaj kategorie Ministria e Brendshme ka premtuar vazhdimisht një paketë ligjore masash për të mbrojtur lypësit e rrugës sërish asgjë nuk ka ndodhur dh fëmijët që lypin vetëm sa vijnë shtohen çdo ditë e më shumë.. Rreth tre muaj më parë ka qenë vetë ministri Basha i cili gjatë një takimi me përfaqësuesit e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, ka deklaruar se do të merren në mbrojtje fëmijët e rrugës, të cilët shpesh bëhen viktima të trafikut njerëzor. Gjatë takimit me disa organizata, pjesë të koalicionit Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve, Basha i ka kërkuar paraqitjen e të gjitha propozimeve të tyre mbi këtë problem. Ministri shprehu gjithashtu mbështetjen për ti konkretizuar këto propozime në një paketë të plotë masash ligjore dhe sociale për marrjen në mbrojtje të fëmijëve të rrugës. Sipas Ministrit Basha Ministria që ai drejton dhe të gjitha organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve janë partnerë jashtëzakonisht të rëndësishëm të qeverisë në luftën kundër trafikut dhe në këtë kuadër të kësaj kauze ai u ka kërkuar këtyre shoqatave projekte të detajuara për propozimet dhe nevojat tuaja për bashkëfinancim nga qeveria shqiptare.
Ministria e Punës ndihmon lypësit me qindarka
Lypsa ka kudo edhe në hekurat gri të Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale, dhe ky është institucioni përgjegjës për mbrojtjen e tyre. Por edhe pse zyrat për këtë çështje nuk mungojnë asnjë masë nuk është marrë nga kjo Ministri. Vetëm tek tuk, ndonjë prej punonjësve ju hedh nga disa metra larg ndonjë monedhë të vegjëlve që friken sapo shohin policin roje e luajnë me të duke e përqeshur. Në fakt përqeshja është për fatin e tyre të trotuareve aty ku ndoshta edhe mund të kenë lindur. Shumica e lypsave qëndrojnë në disa pika ku paratë që fitojnë ua marrin ose prindërit e tyre.
Ministria e Brendshme heq lypësit nga rruga, i strehon në polici
Ka shumë raste që policia e kryeqytetit ka ndërmarrë masa tejet të çuditshme për mbrojtjen e fëmijëve që lypin në rrugët e Tiranës. Shpesh herë i gjen prapa hekurave si të ishin kriminelë apo elementë të rrezikshëm pikërisht se kanë bezdisur ndonjë polic apo kanë mërzitur këtë të fundit gjatë orëve të trafikut. Por ka edhe raste kur në orët e vona lypësit e kanë gjetur më në fund një strehë në rajonet e policisë madje në disa raste dhe qëndruar aty për gjithë natën e kjo gjë është e përsëritur edhe pse cenohen direkt të drejtat e kësaj kategorie.
Lypësit, të stërviturit e vegjël për të vjedhur me shpejtësi marramendëse
Edhe pse kur lypsët të vjedhin e në këtë rast ky veprim quhet vepër penale kur shqetësimin ja tregon ndonjë polici ai tallet duke përqeshur hajde mos na bezdis edhe një lypës nuk e përballon dot..... Pastaj duk sharë nëpër vapë e duk mos i bërë ballë as morisë së makinave që janë pirg në udhëkryq, polici mërmërit se këta si bën derman dot asnjë dhe asgjë...As shteti vetë ska çu bën këtyre dreqërve që kanë lindur me këtë ves të ndyrë... shan polici me sytë e hakërryer se mos nga frika hajdutët e vegjël do ti turren edhe atij për ti vjedhur diçka.
Arta AGOLLI