E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 2300 aplikime ndërkombëtare për regjistrimin e markave në Shqipëri gjatë 2025-ës

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Mbrojtja e markave tregtare vijon të ketë interes të lartë, jo vetëm nga bizneset vendase, por edhe përmes regjistrimeve ndërkombëtare, që synojnë shtrirjen e mbrojtjes së markave në tregun shqiptar.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), gjatë vitit 2025 janë regjistruar 2344 aplikime ndërkombëtare për shtrirjen e mbrojtjes së markave në Shqipëri.

Në vitin 2024 ishin 2677 aplikime ndërkombëtare, ndërsa në 2023 numri arriti në 2954.

Në vitin 2022, aplikimet ndërkombëtare për regjistrim marke, në kuadër të Marrëveshjes së Madridit, ishin 2017.

Krahasuar me vitin 2022, numri i aplikimeve në fund të vitit 2025 rezulton rreth 16% më i lartë, duke dëshmuar një interes të qëndrueshëm për mbrojtjen e markave ndërkombëtare në tregun shqiptar.

Të dhënat e DPPI-së tregojnë se mbrojtja e markave është një element i rëndësishëm për sigurinë e aktivitetit tregtar, veçanërisht në kushtet e zgjerimit të tregjeve dhe rritjes së konkurrencës.

Regjistrimi i një marke u jep pronarëve mundësinë të mbrojnë emrin dhe identitetin tregtar nga përdorimi pa autorizim, ndërsa kuadri i ri ligjor synon forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale.

Në këtë drejtim, pronarët e markave mund të kërkojnë masa ligjore ndaj shkeljeve, përfshirë marrjen e masave të përkohshme, nxjerrjen jashtë qarkullimit ose konfiskimin e mallrave që dyshohet se cenojnë të drejtat e një marke të regjistruar.

Rritja e aplikimeve ndërkombëtare në raport me vitet e mëparshme tregon se tregu shqiptar vijon të konsiderohet një hapësirë ku kompanitë ndërkombëtare kërkojnë të sigurojnë mbrojtjen e identitetit të tyre tregtar.

Ndërkohë gjatë vitit 2025, mbi 1700 biznese vendase janë pajisur me certifikatë të regjistrimit për markën tregtare. Krahasuar me një vit më parë, regjistrimet u rritën me 67,2%, duke shënuar nivelin më të lartë ndër vite.

Rritje pati edhe në aplikimet për ripërtëritjen e markave, të cilat arritën në 765 në vitin 2025, nga 535 në 2022.

Shifrat tregojnë ndërgjegjësim më të madh të bizneseve për mbrojtjen e markave nga imitimet, përdorimi i paautorizuar dhe falsifikimet, duke mbrojtur investimin dhe identitetin e tyre në treg.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›