E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 400 pacientë të huaj u trajtuan në QSUT në 6 muaj, qytetari turk: I surprizuar nga kujdesi i mjekëve

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Një qytetar nga Turqia, i cili pati probleme kardiake gjatë qëndrimit në Shqipëri, ka shprehur mirënjohjen për ekipin mjekësor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas trajtimit dhe kujdesit shëndetësor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, QSUT bëri të ditur se pacienti kishte ardhur në Shqipëri për pushime, por gjatë qëndrimit në vend ka ndier shtrëngim në gjoks dhe është transportuar me ambulancë në spital.

“Në Shqipëri kishim ardhur normalisht për pushime. Gjatë pushimeve pata një shtrëngim në gjoks dhe ambulanca më solli në këtë spital. Këtu kuptuam se po kaloja një infarkt në zemër”, rrëfen pacienti.

Ai tregon se për pesë ditë iu nënshtrua ekzaminimeve të nevojshme, ndërsa mjekët kryen edhe angiografinë dhe vendosën dy stenta në arteriet e zemrës.

“Për pesë ditë me radhë më janë bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe iu nënshtrova edhe angiografisë. Mjekët vendosën dy stenta në arteriet e zemrës sime. Tani ndihem shumë mirë”, shprehet ai.

Pacienti turk vlerësoi kujdesin dhe përkushtimin e stafit mjekësor gjatë gjithë periudhës së trajtimit.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe madje i surprizuar nga kujdesi, vëmendja dhe përkushtimi që më është treguar. Jam shumë i kënaqur me këtë spital dhe shumë i lumtur që përfundova këtu për trajtimin tim”, tha ai.

Duke iu referuar përvojës së tij, pacienti u shpreh se, megjithëse pushimet morën një tjetër drejtim, ndihet me fat që ndodhej në Shqipëri në momentin kur pati nevojë për ndihmë mjekësore.

“Sigurisht që është për të ardhur keq që pushimet tona morën këtë drejtim, por ndihem me fat që ndodhesha këtu dhe jam shumë mirënjohës për gjithçka që është bërë për mua”, u shpreh ai.

QSUT theksoi se çdo histori e pacientëve është një dëshmi e punës së ekipeve mjekësore dhe e angazhimit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore me cilësi dhe standarde të larta.

Sipas QSUT-së, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, më shumë se 400 pacientë të huaj kanë zgjedhur të marrin kujdes shëndetësor në këtë institucion.

“Çdo jetë e shpëtuar është arsyeja që ne vazhdojmë të japim më të mirën çdo ditë, me profesionalizëm dhe me zemër”, theksoi QSUT.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›