Mbi 500 mijë aplikime për pasaporta biometrike, tejkalohet kushti i KE për liberalizimin e vizave

Flet Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni
Pajisja e qytetarëve me pasaportat biometrike, ka kaluar 500 mijë aplikime. Procesi, i cili është ndër kushtet themelore për liberalizimin e vizave me BE-në ka tejkaluar parashikimet e dikasterit të Ministrisë së Brendshme. Zëvendësministri Ferdinand Poni deklaron se bashkë me firmën e prodhimit “Sagem” po diskutohet të rritet numri i prodhimit të pasaportave, në krahasim me kartat e identitetit, pasi ka një diferencë të madhe mes aplikimit për pasaporta dhe prodhimit të tyre.
“Diferenca është diku tek 40 mijë, që do të thotë se ne po stabilizojmë të gjithë parametrat e prodhimit, pavarësisht fluksit 4-5 herë më të madh se çka qenë zakonisht gjatë muajit dhjetor- janar, shkojmë me shpejtësi drejt parametrave normale. I kemi propozuar kompanisë që të bëjmë një lëshim që të prodhojmë më shumë pasaporta krahasuar me kartat të cilat po vijnë duke mbaruar”, u shpreh Poni.
Pavarësisht kërkesave të qytetarëve shqiptarë për tu pajisur me dokumentet e reja ka një numër të konsiderueshme të tyre që ende qëndrojnë në zyrat e “Aleat”, ende të pa tërhequra.
70 mijë pasaporta dhe rreth 200 mijë karta identiteti që për Zëvendësministrin vështirësojnë procesin e shpërndarjes.
“Kjo nuk ndihmon as vetë procesin, as sistemin, pasi në vend që të kërkosh një pasaportë në 10-të, duhet të kërkosh një pasaportë në 100-të. Informacioni i fundit që ministria ka, është ai i fundit të muajit, i datës 28 shkurt dhe aplikimet për pasaporta janë 515 475. Të prodhuara dhe të shpërndara nëpër komisariate, janë 474 971. Të tërhequra nga qytetarët 394 565”, deklaroi zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni.