E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë

Zv/kryeministri Meta merr garancinë e homologut finlandez, Stubb

Finlanda, si anëtare e Bashkimit Evropian shprehet në favor të zgjerimit të hartës së lëvizjes së lirë “Schengen” me Shqipërinë. Kjo i është konfirmuar Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta, gjatë një takimit të zhvilluar në Helsinki me homologun e tij finlandez Alexander Stubb. Meta zhvilloi bisedime me ministrin Stubb, me të cilin trajtuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, integrimit evropian të Shqipërisë dhe të zhvillimeve rajonale.
Duke nënvizuar domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Finlandës, Meta u shpreh se “kjo vizitë përkon me hyrjen në një fazë të re të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushat e shkëmbimeve ekonomike e tregtare, energjisë, bujqësisë, mjedisit dhe turizmit”.
Gjithashtu, Meta e informoi homologun e tij finlandez mbi progresin e Shqipërisë në plotësimin e pyetësorit për arritjen e statusit të vendit kandidat të BE-së dhe veçanërisht mbi plotësimin e detyrimeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Në këtë kuadër, Stubb, vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe progresin e arritur prej saj dhe e siguroi Meta për mbështetjen e plotë të Finlandës për integrimin evropian të Shqipërisë si dhe për procesin e liberalizimit të vizave.
Ministri Stubb u shpreh se “ne e mbështesim fuqimisht zgjerimin e BE dhe ndaj është e rëndësishme që të ecim përpara me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, që patjetër kërkon vazhdimësinë e reformave. Ky proces po ecën në drejtimin e duhur”.
Gjithashtu dy homologët biseduan edhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mbi të ardhmen e tij evropiane si dhe mbi çështje të tjera të zhvillimeve globale. Në këtë kuadër, Stubb shprehu vlerësimin e Finlandës për rolin tepër konstruktiv të Shqipërisë ne rajon.
Në përfundim të takimit, dy ministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku theksuan mundësinë e kontributit konkret të Finlandës ndaj procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Në vijim të vizitës së tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta u takua edhe me ministrin finlandez të Tregtisë së Jashtme dhe Ndihmave për Zhvillim, Paavo Väyrynen, Kryetarin e Parlamentit të Finlandës Sauli Niinistö si dhe Raporterin e Këshillit të Evropës, Jaakko Laakso. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi mundësitë reale të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit të tij në helsinki, Meta zhvilloi edhe një vizitë në selinë e kompanisë finlandeze NOKIA.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›