Popullorët Evropianë: Parlamenti dhe demokracia nuk mund të kthehen në lojë të PS-së
Popullorët Evropianë, reagojnë përsëri ndaj tendencave të Partisë Socialiste për të bojkotuar sërish Kuvendin edhe pas bërjes së betimit në të javën që kaloi. Joseph Daule, Kryetari i Partisë Popullore në PE ka deklaruar se demokracia duhet të funksionojë dhe nga ajo duhet përfituar. Ai shprehet kundër ribojkotimit, duke e konsideruar këtë si një lojë që PS po i bën demokracisë dhe parlamentit. “Demokracia nuk është lojë, duke u futur dhe dalur nga parlamenti. Jo, demokracia është një debat dhe dhe ky debat nuk mund të ngjallet me karrige bosh. Aq më tepër imazhi që përcillet nga kjo sjellje këtu në parlamentin europian tek kryetarët e grupeve politike është: Ah, shqiptarët s’janë të përgatitur, atëherë le të presin! Mendoj, se populli shqiptar s’ka pse të presë. Ne do marri raportin e Komisionit Europian për heqjen e vizave dhe me këtë imazh që po na përcillet nga Shqipëria, ky raport nuk mund të përmirësohet. Ajo që duhet është që demokracia të funksionojë brenda parlamentit. Si them gjithnjë, Europa është krijuar kështu. Në Strasburg, ne kemi debatuar, madje ka patur përplasje të ashpra midis nesh në gjirin e Parlamentit , por kjo është demokracia e vërtetë dhe jo ajo e karriges bosh. Për Europën, kompromisi është i shenjtë. Këtu jetohet me kompromis. Unë që kur çohem në mëngjes mendoj se si dhe me cilin duhet të punoj për të gjetur një kompromis të gjerë për të avancuar me politikat europiane. Mua më duhet të gjej gjithashtu një kompromis për t’i thënë Shqipërisë, që vendi mund të integrohet në BE, që duhet të zbatojë demokracinë si vendet e tjera të BE dhe duhet të punojë si të gjitha demokracitë e tjera evropiane, ndaj ne nuk kemi kohë për të humbur. Shpresoj sinqerisht, që para se çështja e vizave të vijë në Parlamentin Europian, ngërçi politikë t’i përkasë së kaluarës”, shprehet Joseph Daule. Edhe zv/kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore në PE, Bostinaru, deklaron se “Shqipëria mund të vejë në rrezik anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Europian dhe çështja më e afërt që Shqipëri ka në axhendën e saj është liberalizimi i vizave afatshkurtra. Kjo është për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për Berishën dhe Edi Ramën. çdo qëndrim radikal që vjen nga çdonjëra palë do të jetë në dëm të Shqipërisë. Vetëm një marrëveshje politike mund ta ndihmojë Shqipërinë dhe të zgjidhë tensionet midis dy palëve, por është në interesin e Shqipërisë, që ta zgjidhë ngërçin politik në mënyrë të mençur. Ju nuk keni shumë miq, jo aq sa ju duhet dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë janë në Parlamentin Europian. Ndaj, na jepni arsyen për të qenë të suksesshëm dhe aktivë”, shprehet zv/kryetari i Delegacionit për Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian, Bostinaru.
...