Mbi 550 sportistë në edicionin e dytë të “Shkodra Marathon”, garues edhe nga Australia dhe Argjentina

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Shkodra u bë këtë fundjavë qendra e sportit dhe atletikës, me zhvillimin e edicionit të dytë të “Shkodra Marathon”.
Kryeministri Edi Rama, duke ndarë foto nga aktiviteti, shkruan: “Mbi 500 sportistë mbushën rrugët e Shkodrës, duke i dhënë qytetit energji dhe një atmosferë të bukur sportive”.
Në eventin e zhvilluar të dielën morën pjesë mbi 550 sportistë, amatorë dhe profesionistë, nga Shqipëria, rajoni dhe mbi 20 vende të botës, përfshirë Turqinë, Australinë dhe Argjentinën.
Gara u zhvillua në disa kategori dhe distanca, përfshirë 2.5, 5 dhe 10 kilometra. Në garën e 5 kilometrave triumfoi atleti i njohur Bledar Mesi. Kampionia e atletikës shqiptare, Luiza Gega, mori pjesë gjithashtu në garë dhe triumfoi në kategorinë e femrave në 10 kilometra. Ajo e cilësoi aktivitetin si një test të rëndësishëm në prag të Kampionatit Ballkanik.
Eventi u organizua nga Bashkia Shkodër dhe ekipi i atletikës “Vllaznia”, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës, duke u kthyer tashmë në një traditë festive sportive për qytetin.
Pas suksesit të edicionit të parë, të zhvilluar vitin e kaluar, edhe edicioni i dytë i “Shkodra Marathon” u mbyll me rezultate pozitive, duke dhënë sinjale të mira për kthimin e këtij eventi në një traditë të përvitshme, me synim bashkimin dhe promovimin e qytetit përmes sportit.
Fituesit sipas disiplinave përkatëse:
Gara 2.5 km, grupmosha 10-15 vjeç vajza:
1. Enea Metolli (Prishtina)
2. Darsa Vathi (Fortius)
3. Oltea Zaimi (Fortius)
Gara 2.5 km, grupmosha 10-15 vjeç djem:
1. Elsar Balaj (Vllaznia)
2. Marin Shehaj (Fortius)
3. Dion Mulgeci (Fortius)
Gara 2.5 km, grupmosha 16-18 vjeç vajza:
1. Ajla Doda (Tirana)
2. Selina Gashi (Kosova)
Gara 2.5 km, grupmosha 16-18 vjeç djem:
1. Leonel Mesi (Tirana)
2. Dejan Balla (Vllaznia)
3. Olken Horanlli (Durrësi)
Gara 5 km, femra:
1. Gresa Bakraqi (Kosova)
2. Kristina Pura (Tirana)
3. Elizabeta Marku (Tirana)
Gara 5 km, meshkuj
1. Bledar Mesi (Tirana)
2. Oliver Hill (Britania e Madhe)
3. Demir Medeni (Turqia)
Gara 10 km, femra:
1. Luiza Gega (Tirana)
2. Natalia Semenovych (Ukraina)
3. Sebahat Demir (Turqia)
Gara 10 km, djem:
1. Bogdan Semenovych (Ukraina)
2. Albion Ymeri (Kosova)
3. Rory Martin (Australia)
Video nga Maratona e publikuar nga kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci:
/a.f/r.e/