Sherri dhe Berisha jashtë, Maran konfirmon Dajsinanin në portë ndaj San Marinos

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Rolando Maran, konfirmoi se Dajsinani do të jetë portieri titullar në sfidën e nesërme ndaj San Marinos, pasi Etrit Berisha është i pezulluar, ndërsa Alen Sherri ka pësuar probleme pas ndeshjes me Finlandën.
Në konferencën zyrtare për shtyp në prag të ndeshjes, Maran theksoi se në futboll nuk ka ndeshje të lehta dhe kërkoi nga skuadra të ruajë përqendrimin dhe ritmin e duhur gjatë gjithë takimit.
“Kur dëgjoj fjalën e thjeshtë, më vjen të rrëqethem. Nuk ka ndeshje të thjeshta në futboll. Në ndeshjen ndaj San Marinos e ulëm ritmin. Luajtëm mirë në fillim, por ishte një lloj llogarie”, tha Maran.
Trajneri vlerësoi progresin e skuadrës dhe mënyrën se si ajo ka menaxhuar ndeshjet, duke theksuar se ndryshimet ndaj San Marinos i shërbyen ekipit për sfidën pasuese me Finlandën.
“Mendoj se kemi bërë progres të mirë nga ndeshja e parë. Pasi siguruam rezultatin ndaj San Marinos, bëmë ndryshime për të menaxhuar lodhjen. Kjo na shërbeu për ndeshjen ndaj Finlandës. Qëllimi im është që skuadra të tregojë atë që punojmë në stërvitje”, u shpreh ai.
Maran foli edhe për situatën në portë, duke konfirmuar mungesën e dy portierëve dhe emrin e titullarit për sfidën e nesërme.
“Te portierët është më decizive, sepse ndikon te rezultati. Më vjen keq që nuk kam Etrit Berishën. Po ashtu edhe Alen Sherrin që doli me probleme pas ndeshjes ndaj Finlandës. Mund të konfirmoj se në portë do të luajë Dajsinani”, deklaroi trajneri.
Maran u ndal edhe te Kerjota, për të cilin tha se ka cilësi që mund ta bëjnë të dobishëm për Kombëtaren, ndërsa theksoi se mungesa e aktivizimit në këtë periudhë nuk do të thotë se ai nuk do të ketë mundësi në të ardhmen.
“Kerjota ka karakteristika që mund ta bëjnë të dobishëm për skuadrën. Më vjen keq që nuk kam pasur mundësi ta aktivizoj. Ka qenë gjë e mirë që ka qenë në stërvitje. I kemi parë cilësitë e tij. Nuk mund të themi se është një rast i djegur. Mund të ketë hapësira në vazhdim”, tha Maran.
Për Pilo dhe Mitajn, trajneri shpjegoi se vendosja e tyre në role të ndryshme ishte një zgjedhje e menduar më herët dhe se të dy lojtarët kanë dhënë kontribut në aspektin mbrojtës.
“Është një zgjedhje që e kishim menduar edhe më herët. Janë lojtarë që ndihmojnë për të mbuluar mbrapa dhe nisen. E dinim që do kishin ndryshime në role. E aplikuam dhe mendoj se ishte i suksesshëm”, u shpreh ai.
Maran theksoi se Kombëtarja kërkon të ruajë identitetin e saj në lojë, ndërsa zgjedhjet taktike varen edhe nga mënyra se si zhvillohet ndeshja.
“Është fusha ajo që të jep zgjedhje në këto raste. Ne duam të kemi identitetin tonë. Ndonjëherë kundërshtarët krijojnë hapësira për të luajtur ndeshjen tënde”, tha trajneri.
Duke folur për objektivin e renditjes, Maran u shpreh se gjithçka varet nga zhvillimi i ndeshjeve dhe episodet që mund të ndikojnë në rezultat.
Shqipëria do të përballet me San Marinon nesër, më 6 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen e vlefshme për UEFA Nations League.
/gj.m/j.p/