E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 8 mijë të vdekur në Japoni

Nga Express më 20 mars 2011 në ora 13:05

Shifrat e reja të autoriteteve japoneze flasin për 8,133 të vdekur dhe mbi 12 mijë të lënduar nga tërmeti dhe cunami shkatërrues.

Në anën tjetër, inxhinierët vazhdojnë të luftojnë për stabilizimin e centralit bërthamor Fukushima, të dëmtuar nga fatkeqësia e 11 marsit.

Shqetësimet për përhapjen e rrezatimit janë në rritje, pas gjetjeve të materieve radioaktive në prodhimet ushqimore dhe në ujë.

Megjithatë, autoritetet nuk besojnë se ka kërcënim të menjëhershëm për shëndetin e banorëve.

Në reaktorin Numër 3 të impiantit bërthamor është rritur sërish presioni, ndërsa po punohet në nxjerrjen e një sasie të gazit radioaktiv në ajër, për të lehtësuar shtypjen.

Zyrtarët tajvanezë kanë zbuluar sasi të rrezatimit në fasulen e importuar nga Japonia. Ky është rasti i parë i ndotjes radioaktive që është raportuar në eksportet e Japonisë.

Qendra për monitorimin e energjisë atomike në Tajvan tha se sasia e rrezatimit është nën nivelin e lejueshëm dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut.

Zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Juko Edano, tha se Tokio do të vendosë të hënën nëse do të kufizojë konsumet dhe dërgesat e ushqimeve nga zona e Fukushimës.

Nivele të larta rrezatimi janë gjetur në qumështin dhe spinaqin që kanë ardhur nga hapësirat rreth centralit të dëmtuar bërthamor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›