Mbi 8 mijë të vdekur nga dhuna në Siri

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Nassir Abdulaziz al Nasser, deklaroi se shumë gra dhe fëmijë janë mes viktimave.
Komentet e tij vijnë në një moment kur i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, do të takohet me përfaqësues të opozitës siriane në Turqi.
Ndërkohë, në zhvillime të tjera, një grup për të drejtat e njeriut ka akuzuar Sirinë se ka vendosur mina tokësore përgjatë vijave kufitare me Libanin dhe Turqinë.
Human Rights Watch paralajmëroi se vendosja e minave anti-njeri dhe anti-automjet mund të shkaktojë viktima në radhët e civilëve në vitet e ardhshme.
Në anën tjetër, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së theksoi se presidenti i Sirisë, Baschar Al Assad, ka pritur me cinizëm të dërguarin e OKB-së, Kofi Annan, teksa në qytete të ndryshme të vendit vazhdonin masakrat nga forcat qeveritare.
Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska nuk pranon që OKB-ja të manipulohet për situatën në Siri, për të cilën shprehu shqetësim të madh.
Rusia dhe Kina kanë bllokuar rezoluta të mëparshme që dënonin regjimin e Bashar al-Assad dhe që kërkonin largimin e tij.