E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi Hasan Tahsinin sot

Shpëtim Idrizi

Pavarësisht nga fakti që jam çam, ose jo, i përkas një ...grupi individësh që i pëlqejnë leximet historike. E përpij çdo lexim për çamërinë dhe figurat e saj. Për këtë arsye e vlerësoj shumë veprën e Laurant Bicajt, e çmoj shumë autorin e studimit më të fundit në tri vëllime, i cili ka mbi 30 vjet që merret me Hoxha Tahsinin, duke u shndërruar kështu edhe me këtë vepër, tahsinologu më i madh i kohëve tona. Nuk duhet pritur që në një koment unë të them diçka nga qëmtimet e mia të sipërfaqshme mbi figurën poliedrike, shumëpërmasore të Hoxha Tahsinit, Tahsin Rushitit nga Ninati i Konispolit, nga Ninati i çamërisë. Do të them vetëm se ç'më ka bërë më shumë përshtypje nga figura e tij. Figura e Hoxha Tahsinit është konfirmim i shkëlqyer i faktit se komuniteti ynë nuk ka qenë thjesht një komunitet luftëtarësh. As i bejlerësh të pasur, që nuk i dedikoheshin veç luftës apo dhe vrasjes së kohës në stilin otoman. Hoxha Tahsini ishte jo thjesht ideolog i Rilindjes sonë, por ideologu i ideologëve të kësaj Rilindje. Kjo e veçon atë sigurisht në raport me plejadën e dendur të Panteonit tonë kombëtar shqiptar. Ai ishte jo thjesht ideolog i ideologëve të kombit tonë, por dhe ideolog i ideologëve të Rilindjes së kombit turk. Kjo e bën atë sigurisht të veçantë në Panteonin e figurave më të shquara evropiane të fundshekullit të 19.
Sepse Hoxha Tahsini ishte një figurë me vetëdije të fortë kombëtare shqiptare. Dhe ky është një moment i rëndësishëm, që zhbën të gjithë mitet negative rreth popullit tonë, kombit tonë, komunitetit tonë, si komunitet që në atë periudhë nuk kishte vetëdije të fortë kombëtare, shqiptare. Dhe kur një njeri i përmasave të tij universale ka vetëdije kombëtare, kjo është diçka e jashtëzakonshme. Hoxha Tahsini ishte pra shprehja më e ndritur e një komuniteti të shquar, që popullonte Epirin që në kohërat më të lashta, siç thoshte një historian grek në filmin më të fundit që pamë, "Malli i çamërisë".
Mund të veçoja këtu edhe momente të tjera që lidhen me figurën e madhe, por le t'ua lemë ato kompetentëve. Pra historianëve, apo studiuesve të të gjitha fushave ku Hoxha Tahsini la gjurmët e veta të ndritshme. Unë sot dua të parashtroj ndjeshmërinë e posaçme që më karakterizon si drejtues i PDU. Mendoj sesi parti parlamentare, me një qasje krejtësisht moderne, të re, pa modesti më duhet të them se kemi bërë shumë për çështjen çame në planin kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo tashmë s'mund të hiqet nga axhenda ndërkombëtare e institucioneve tona. Ajo do të trajtohet për zgjidhje edhe nëpërmjet studiove avokatore perëndimore. Ajo do të trajtohet nëpërmjet një lobimi cilësor dhe të paparë në parlamentet e vendeve evropiane, në Kongresin Amerikan, në Këshillin e Evropës dhe në Parlamentin Evropian. Por sot do të thosha diçka tjetër, sepse me çfarë kemi bërë politikisht, jeni njohur përditë. E theksoj përditë, sepse ne përditë kemi vendosur nga një tullë në murin e kujtesës së çështjes sonë kombëtare. Që në fillim të marrjes së kësaj detyre, përveç angazhimeve të shumta që lidhen me aktualitetin apo perspektivën politike, unë kërkova në Parlament restaurimin e shtëpisë së Hoxha Tahsinit, të dëmtuar në vitin 1997. Unë u konsultova me historianë çamë dhe jo çamë, apo studiues të tjerë. Bashkë me ta kam vendosur që në bashkëpunim me komunitetin e biznesit tonë, të mbështesim botimin e antologjive historike, folklorike, mbi çamërinë. Pra, do të organizojmë mbledhjen e të gjitha kontributeve në mënyrë shkencore dhe do t'ua vëmë ato në dispozicion jo thjesht të rinjve dhe të rejave të komunitetit tonë, por të gjithë shtetasve shqiptarë. Madje edhe atyre të huaj, nëpërmjet përkthimeve. Sepse historia e komunitetit tonë, që ka prodhuar Hoxha Tahsinë; historia e një komuniteti që ka ndoshta muzikën dhe vallet më të bukura në botë, meriton të marrë autorësinë. Pra, të dihet botërisht se kush janë çamët, se ata janë shqiptarë dhe se janë krenarë që janë shqiptarë. Ne do të propozojmë për të nderuar nga shteti shqiptar të gjitha figurat e shquara, historianë, mbledhës folklori, të gjallë apo të vdekur çamë dhe jo çamë, duke filluar që nga Fatos Mero Rrapaj, Hasan Minga, Ibrahim Hoxha, etj, etj. Ne do të propozojmë nderimin e të gjithë veprimtarëve çamë që janë shquar në kohërat tona. Ky është minimumi që mund të bëjmë si forcë politike. Por ne do të bëjmë edhe diçka tjetër. Si çamë, ne e dimë rëndësinë e historisë, me të mirat dhe anët e errëta të saj. Por ne do të mbështesim ato studime që janë fokusuar në atë se ç'ka ndodhur në çamëri, me largimin e komunitetit tonë. ç'ka ndodhur me gjysmën tjetër të shqiponjës çame që ka mbetur në viset greke? Si duhet të punojmë që t'ua ringjallim edhe atyre dinjitetin kombëtar?
Dhe më në fund, ne do të bëjmë edhe diçka tjetër. Në kuadër të bashkëpunimit me studion më të mirë britanike për zgjidhjen e çështjes çame, ne do të grumbullojmë me ndihmën e tyre, pjesë nga arkivat britanike, turke, etj. për çështjen çame. Kjo është sigurisht diçka unike për të cilën pres që ju historianët të më duartrokisni. Ju e dini sesa vuani për të hyrë në arkivat perëndimore për studimet tuaja. Me këto dokumente unike do të krijojmë një qendër dokumentimi të çështjes çame, që do t'u shërbejë të gjithë brezave. Që askush të mos harrojë!
Si drejtuesi i partisë parlamentare PDU, si njëlloj intelektuali që entuziazmohet nga veprat historike, që i përpin këto vepra, e ndjeja të nevojshme të shkruaja për veprën tri-vëllimëshe mbi Hasan Tahsinin, me autor Laurant Bicajn. Për më shumë kur ato kanë në qendër figura të tilla si Hoxha Tahsini, emër i cili me të vërtetë na bën krenarë që jemi shqiptarë, që jemi çamë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›