Prezervativ, vetëm gjysma e meshkujve
Vetëm 50% e meshkujve të anketuar pranojnë se kanë përdorur prezervativ gjatë aktit të parë seksual. Këto shifra janë më të ulëta te femrat. Vetëm 19% e tyre thonë se partnerët kanë përdorur kondom në momentin që ato kanë kryer marrëdhënien e parë seksuale. Femrat në zonat urbane janë shumë më të prirura të përdorin prezervativ gjatë aktit të parë seksual se ato në zonat rurale. Përkatësisht janë 37% në qytete, kundrejt 6% në zonat rurale. Mjekët kanë ngritur disa herë alarmin për rritje të numrit të personave që vuajnë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Sipas studimit demografik, 11% e meshkujve dhe 5% e femrave raportojnë se kanë pasur një sëmundje seksualisht të transmetueshme vitin e shkuar. Problem mbetet trajtimi mjekësor. Studimi tregon se 49% e femrave dhe 88% e meshkujve që kanë pasur shenja të një infeksioni seksual, nuk kanë marrë asnjë trajtim dhe nuk kanë kryer asnjë vizitë te mjeku. Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë sëmundje që shkaktohen nga baktere, të cilat transmetohen përmes kontaktit seksual. Këto sëmundje janë ndër infeksionet më të përhapura në botë. Shqiptarët janë të painformuar për rrezikun e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, por edhe kur i njohin, nuk dinë si të trajtohen. Më të rrezikuarit janë të rinjtë, të cilët kryejnë marrëdhënie të pambrojtura me disa partnerë. Alarmi është ngritur disa herë nga specialistët e ISHP-së, të cilët kanë bërë apel për më shumë sensibilizim dhe përdorim të kontraceptivëve nga popullata.