Kongresi: Protesta të pandalshme
Aristir Lumezi
Kongresi i Partisë Socialiste miratoi një rezolutë përmes së cilës bëhet thirrje për protesta të pandalshme. Pas rreth pesë orë diskutimesh, kongresi miratoi me disa ndryshime qëndrimin e PS-së në lidhje me situatën politike dhe ekonomike si dhe përcaktoi marrëdhënien e PS-së me Parlamentin dhe maxhorancën. Kreu socialist, duke marrë fjalën në seancën e diskutimit të statutit dhe programit, premtoi që në kongresin e ardhshëm, atë zgjedhor, që do të mblidhet vitin e ardhshëm, të hartohet një statut krejt i ri si dhe një rregullore për statutin e ri. Të hartojmë një statut të shkruar nga e para, në kuptimin e lehtësimit të tij nga paragrafë dhe detaje që nuk i gjen më të shprehura në statute të partive të majta evropiane. Kongresi vendosi përshkallëzimin e protestave dhe aksionin opozitar në kërkim të transparencës së zgjedhjeve. Gjithashtu në rezolutë u bëhet thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve t'u bashkohen protestës së 30 prillit, që do të zhvillohet në Tiranë. Ishte deputetja e kryeqytetit, Vasilika Hysi, e cila lexoi para delegatëve të kongresit rezolutën, që me pak ndryshime, u miratua nga të gjithë delegatët. "Të vetëdijshëm për verbërinë pushtetit përballë situatës që karakterizohet nga ulja ekonomike, rritja e deficit buxhetor, rritja e borxhit, përkeqësimi i situatës financiare dhe klimës së biznesit, duke vlerësuar transparencën e shifrave të ekonomisë, të shqetësuar për mungesën e vullnetit politik të pushtetit për zgjidhjen e krizës, PS është e angazhuar për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike", tha Hysi, që pasi ka lexuar rezolutën, ka ftuar delegatët ta votojnë atë.
Pas përfundimit të kongresit, deputeti Blendi Klosi bëri të ditur për mediat pikat kryesore ku u ndal ky kongres. Ashtu siç e theksoi edhe Klosi, me rëndësi ishte miratimi P.r/rezolutës së PS. "Në amendimet e saj theksohej edhe një herë nevoja e përshkallëzimit të protestave për transparencën e zgjedhjeve", theksoi Klosi. "PS përmes miratimit të Projekt/rezolutës, tregoi se është e hapur për debat, PS dëshmoi edhe njëherë që është një parti e re, që me reformat e saj strukturore në të ardhmen do të jetë më e mirorganizuar dhe do të dijë të përballet në zgjedhjet e ardhshme elektorale", u shpreh Klosi. Duke u bërë thirrje simpatizantëve të PS-së që t'i bashkohen protestës "më të madhe të PS", Blendi Klosi theksoi se kjo është një luftë e papajtueshme me regjimin e Sali Berishës. "PS rithekson se do të ketë një luftë të papajtueshme me regjimin e Sali Berishës, u bëjmë thirrje të gjithë simpatizantëve të bashkohen me PS-së në 30 prill, për të vazhduar transparencën e zgjedhjeve. Rezoluta u bën thirrje të gjithë simpatizantëve të PS të jenë më 30 prill në sheshin përpara Kryeministrisë. Do të jetë një nga protestat më të gjata të opozitës, ato që ju shikoni sot në shkallë vendi do t'i shihni të mbledhura përpara Kryeministrisë", deklaroi Klosi. Gjithashtu në kongres delegatët u njohën edhe me projekt-programin politik të PS-së, i cili u kërkua që të mos miratohej, por vetëm të hapej rruga për një diskutim të gjerë të tij në të gjitha strukturat e bazës. "Kërkoj nga kongresi që ta konsiderojë këtë një projekt-program, i cili do të nisë debatimin në të gjitha strukturat e PS-së, ku dhe do të pasurohet me propozime të reja për t'u miratuar në Kongresin Zgjedhor të vitit të ardhshëm", u shpreh Ruçi.
Pikat e Rezolutës së Kongresit
Të bindur në drejtësinë e kauzës sonë për transparencë Kongresi i PS vendos:
Të kontribuojë në respektim të ligjit dhe Kushtetutës, në përputhje me standardet evropiane në zgjidhjen e krizës politike në vend dhe forcimin e demokracisë.
Të vazhdojë të kontribuojë në vazhdimin e procesit të integrimit evropian, duke e vendosur këtë në qendër të bashkëpunimit politik.
Të kontribuojë për heqjen e regjimit të vizave, duke ofruar ekspertizën e opozitës në procesin e liberalizimit, për përmbushjen e standardeve të kërkuara dhe duke u bërë thirrje institucioneve të PE dhe qeverive të vendeve anëtarë të BE, ku qeverisin partitë simotra.
Të kërkojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si e drejtë kushtetuese.
Të vazhdojë të adresojë kthimin e besimit të votës së lirë përmes hetimit të plotë parlamentar, në përputhje me nismën ligjore të bërë publike nga opozita.
Të kërkojë me forcë transparencën e shifrave të ekonomisë dhe dhënien fund të mashtrimit publik me shifra të deformuara politikisht.
Të kontribuojë në stabilitetin makro-ekonomik, duke kërkuar konsolidimin e mekanizmave mbrojtës.
Të këmbëngulë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve vendës e të huaj.
Të luftojë për mbrojtjen e parlamentarizmit dhe të drejtat e opozitës.
Të luftojë për rikthimin e Kuvendit në misionin e tij pluralist, mes zbatimit të një reforme parlamentare, që garanton rolin dhe kontrollin e opozitës.
Të luftojmë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë të institucioneve kushtetuese dhe sistemit gjyqësor.
Ruajtjen dhe forcimin e pavarësisë së Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, duke kërkuar proces transparent për zgjedhjen e kandidatëve të rinj.
Të kërkojmë zbardhjen e menjëhershme të vrasjes së kolegut tonë, Fatmir Xhindit.
Fund presioneve antiligjore dhe joetike ndaj medias, rishikimi i kuadrit ligjor për TV publike dhe private.
Të vazhdojmë përpjekjet për kthimin e besimit te KKRT dhe TVSh dhe ndalimin e reklamave qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.
T'i kërkojë asamblesë dhe grupit të përcaktojë raportin për marrëdhëniet e kushtëzuara me Kuvendin.