E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabimet me tekstet e shkollave, një vit kohë shtëpive botuese



Plot gabime, në tekstet shkollore të arsimit parauniversitar. E trumbetuar fort reforma e alter-tekstit, duket se ka rezultuar jo pak defektoze. Kritikat për cilësinë e librave me të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë janë bërë shpesh jo vetëm nga ekspertët. Vetë krerët e Ministrisë së Arsimit kanë pranuar mangësitë. Për t'u dhënë fund gabimeve, MASH ka ndërmarrë këtë vit një praktikë të re për shtëpitë botuese. Nga sa bëjnë me dije specialistët e këtij dikasteri, atyre do t'u lihet 1 vit kohë për të përgatitur tekstet. "Shtëpitë botuese do të regjistrohen për konkurrim, por librat e tyre nuk do të jenë gati pas dy muajsh, siç ka ndodhur. Atyre do t'u lihet kohë për t'i përgatitur për rreth një vit", sqarojnë specialistët e MASH. Sipas tyre, koha e shkurtër në dispozicion ka krijuar probleme me cilësinë e teksteve shkollore. Por këtë mangësi, MASH e pranon vetëm tani. Po t'u referohesh deklaratave të ish-krerëve të këtij dikasteri, hedhja në treg e teksteve alternative ishte një reformë mjaft e suksesshme. Pas bërjes publike të një sërë gafave e çudirave me tekstet, MASH ka ndryshuar qëndrim dhe strategji. "Një nga mangësitë që kemi pasur deri tani në tekstet shkollore ka qenë se shtëpitë botuese kanë pasur një kohë shumë të shkurtër për të përgatitur tekstet dhe sigurisht që ai nuk do të ishte në nivele cilësore, të pëlqyeshme. Kësaj praktike, duke filluar qysh këtë vit shkollor, i jepet fund", shprehen specialistët. Ndërkaq, sipas tyre, një nga risitë e reformës së alter-tekstit këtë vit është edhe përdorimi i metodave evropiane në procesin e mësimdhënies. "Po punohet me futjen e metodave të huaja interaktive online, që janë fjala e fundit e modernizimit të procesit mësimor, që do të thotë ta shikosh orën e mësimit nga kjo zyrë e Ministrisë së Arsimit, që të komunikosh me mësuesin ose me nxënësin me anë të serverit qendror dhe njëkohësisht të korrigjosh edhe punimet e nxënësve me anë të elektronikës", bën me dije MASH. Ky dikaster ka shpallur së fundmi konkursin për përgatitjen e tri teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, kjo e kërkuar nga shoqatat e shqiptarëve në shtetet fqinje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›