Blendi Klosi: Reduktohet zgjedhja me “1 anëtar 1 votë”
Kongresi i djeshëm miratoi ndryshimet e reja në statutin e PS-së. Sekretari organizativ, Blendi Klosi, bëri të njohura ndryshimet e bëra në të, ndërsa përfshiu në paketën e re edhe propozimet e delegatëve të kongresit. Një javë më parë, anëtarët e grupit të punës për statutin janë konsultuar me delegatët në të gjitha qarqet nga morën dhe propozime prej tyre. Klosi tha se për të arritur në këtë draft u mor mendimi i rreth 5 mijë anëtarëve të PS-së përmes pyetësorit. Statuti i ri redukton aplikimin e parimit "Një anëtar një votë", duke e lënë atë atribut vetëm për zgjedhjen e kryetarit të PS, delegatëve të kongresit dhe kryetarëve të OS. Statuti rikthen një strukturë socialiste, kryetarin socialist të rrethit dhe asamblenë socialiste të rrethit, duke kufizuar rolin dhe kompetencat e strukturës socialiste të qarkut. Në këtë mënyrë bie funksioni i sekretarit rajonal të qarkut, duke fuqizuar rolin e rrethit. Drafti i statutit të ri, i cili duhet thënë se është i treti që pas zgjedhjeve të 2005-ës, synon forcimin e disiplinës së brendshme në PS, ku përcaktohet për herë të parë se vendimi i shumicës duhet të zbatohet edhe nga pakica, pasi është votuar. "Disiplina në parti bazohet në konvergjencën e mendimeve për alternativat e zhvillimit. Pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës", thuhet në nenin 1 të Parimeve Themelore të Statutit të PS. Në statutin e ri nuk kanë ndryshuar masat disiplinore ndaj shkeljes së vendimeve të forumeve të PS. Në statutin e ri, që në fillim përcaktohet se "PS është parti e majtë demokratike", ndërsa në statutin aktual ajo përcaktohet si parti moderne e qendrës së majtë. Për herë të parë, PS-ja përcaktohet si parti elektorale dhe funksionale, duke përcaktuar në statut parimin se nga parti funksionale, PS shndërrohet edhe në parti elektorale, ku organizimi i saj intensiv do të jetë më shumë gjatë fushatave elektorale.